
Rrahmani: ‘Lewandowski’ mbetet pseudonimi im
Sulmuesi Albion Rrahmani është shprehur optimist se formën e mirë që e kishte me skuadrën e Ballkanit ta vazhdojë edhe te Rapidi në Rumani. “Lewandowski” i Kosovës është transferuar për një shumë prej 600 mijë eurove në Superligën e Rumanisë, pas disa edicioneve fantastik me fanellën e Ballkanit.
Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit rumun, Rrahmani është zotuar që të shënojë sa më shumë gola me Rapidin, ndërsa është shprehur i qartë që pseudonimin e tij “Lewandowski” ta bartë edhe në Rumani.
“Ndihem shumë mirë. Jam shumë i emocionuar që jam këtu. Dua të dëshmoj vlerën time para tifozëve dhe klubit sa më shpejt të jetë e mundur. Mezi pres të debutoj dhe të marr disa shfaqje. Zgjodha Rapidin për shkak të projektit qe synohet te zbatohet këtu, është një projekt shumë i mirë dhe e ndjeva se ishte më e mira të isha këtu. Do të bëj gjithçka për të arritur këtë qëllim. Unë jam i shpejtë, jam i zgjuar dhe jam shumë i mirë në duelet kokë më kokë me portierin dhe shumë cilësi të tjera. Unë kam një pseudonim, ‘Lewandowski’. Kaq, kështu më thërrisnin fansat nga Kosova dhe ‘Lewa’ mbetet pseudonimi im! Kam vendosur të shënoj shumë gola sepse dua të jem golashënuesi më i mirë i kampionatit dhe i Evropës”, ka deklaruar Rrahmani.
Rrahmani ka shkëlqyer tash e dy edicione në Superligën e Kosovës. Sezonin e kaluar, Rrahmani ka shënuar 30 gola në 50 ndeshje. Ai është bërë transferimi më i shtrenjtë në futbollin kosovar, duke arritur shumë e 600 mijë eurove.