
Rrahmani në formacionin e javës në Çeki
Sulmuesi i Kosovës, Albion Rrahmani është shpërblyer për paraqitjen e tij të mirë në ndeshjen e fundit me Sparta Pragën në kampionat. Rrahmani është përfshirë në 11-shen më të mirë të xhiros së dytë të Superligës së Çekisë pasi ndihmoi Spartan të triumfojë ndaj Mlada Boleslavit vikendin e shkuar. Sparta triumfoi me rezultatin e ngushtë 3:2, ndërsa Rrahmani në këtë fitore kontribuoi me gol, të cilin e shënoi në minutën e 22-të, duke e zhbllokuar rezultatin.
Rrahmani ishte startues te Sparta dhe u zëvendësua në minutën e 53-të, ndërsa për ekipin nga Praga kjo ishte fitorja e parë në sezonin 2025/26 pas barazimit në xhiron e parë. Sulmuesi “dardan” ishte njëri prej dy lojtarëve të Sparta Pragas që u përfshinë në formacionin e javës së dytë të kampionatit çek.