Rrahmanit i ofrohet kontrata e re nga Napoli, ja sa milionë do t’i fitojë në sezon
Qendërmbrojtësi i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani është afër të vazhdojë kontratën e tij me Napolin.
Rrahmani po zhvillon një sezon me ulje-ngritje me Napolin, shkaku i lëndimeve, por klubi napoletan ka vendosur që t’ia vazhdojë kontratën.
Sipas asaj që raporton “Tuttosport”, kapitenit të Kosovës i është ofruar një kontratë e re nga Napoli, me rritje page.
Raportimi vazhdon tutje duke bërë me dije se Napoli i ka ofruar mundësinë Rrahmanit që ta vazhdojë kontratën deri në vitin 2028, me mundësi vazhdimi edhe për një sezon tjetër.
Sipas mediumit në fjalë, ai pritet të fitojë diku rreth 3.8 milionë euro në sezon.
Momentalisht, sipas “Capology”, Rrahmani fiton 3.2 milionë euro në sezon.
Amir Rrahmani u lëndua mbrëmë në ndeshjen ndaj Romës, pasi shkaktoi një penallti në Wesleyn. Ndeshja përfundoi 2-2, teksa Rrahmani u largua nga loja në minutën e 70-të.
Ky është lëndimi i tretë i Rrahmanit për këtë sezon, me të parin që e kishte pësuar në shtator, gjatë ndeshjes së Kosovës me Zvicrën.
Ai ishte rikthyer në tetor, por pastaj ishte lënduar përsëri në janar, kur mungoi për katër ndeshje.
Për momentin, pas lëndimit të mbrëmshëm, ende nuk ka një datë të saktë për rikthimin e tij, por jozyrtarisht thuhet se do të jetë një lëndim i gjatë.
Rrahmani po kalon në sezonin e tij të gjashtë me Napolin.
Më herët, ai luajti për një sezon te Verona, teksa dy i kaloi te Dinamo Zagreb.



