Rrëfim i Imer Salih Deliut për masakrën në Abrinë e Epërme 23 vjet më parë

26 shtator 2021 | 08:20

Kufoma e shtatë ishte 20-25 metra larg tendës. Ishte e Jetonit, e djalit tim, shtrirë në krahun e djathtë, me dorën e djathtë nën kokë, kurse të majtën të shtrirë. Në dorë i shkëlqente ora. Në atë moment m’u duk sikur po ma afron orën për kujtim. Pa e prekur kufomën e shikoj orën e cila punonte dhe tregonte kohën 05:49 të mëngjesit. I premtova me zë se orën tënde do ta mbaj tërë jetën si kujtim. Kufoma në anën e djathtë kishte nofullën e poshtme dhe dhëmbët e thyer, veshin e djathtë të prerë përmes dhe kokën në anën e djathtë të çarë. Po në anën e djathtë kishte edhe një plagë të çelur në kraharor.

Pesë a gjashtë metra më larg pashë kufomën e nënës sime. E përqafova si të ishte e gjallë. Nga xhepi nxora disa dardha të cilat i kisha marrë enkas për të dhe ia lashë pranë gojës së hapur që më parafytyrohej si ofshamë e fundit të jetës së saj. Trupi i nënës Hamide Deliu ishte kufoma e tetë me radhë, e dëmtuar në kokë, në anën e djathtë dhe pulpën e këmbës së majtë. Mbështetur për shpine të nënës ishte kufoma e nëntë, e kunatës Luljeta Deliut, e shtrirë në krahun e djathtë me këmbë të përmbledhura. Ishte qëlluar në kokë, sikur nëna, por kjo në anën e majtë të kokës. Ajo ishte shtatzënë në muajin e nëntë, ku Hava Deliu (halla ime), më 24 shtator 1998 po në atë tendë, foshnjën e palindur e kishte pagëzuar me emrin Malësor ose Malësore, me shkas se fryti u rrit në barkun e nënës nëpër male.

Kufoma e dhjetë ishte Valmiri, djali i vëllait tim, Ademit. Biberonin e kishte të varur në fyt. Vetëm pesë ditë e ndanin nga dyvjetori i lindjes. “Miri”, siç e quaja zakonisht, ishte i shtrirë në shpinë. Në fytyrë, trup e duar kishte plagë të shumta, por të imta. I afrohem kufomës së njëmbëdhjetë, bashkëshortes sime, Lumnijes. Ajo ishte e shtrirë në krahun e djathtë. Pas shpine kishte vajzën, Menduhinë, ndërsa para vetes kishte vajzën gjashtëjavëshe, Diturinë. Për një çast mendova se ishin të vdekura të tria. Kontrollova kufomën e dymbëdhjetë, të vajzës sime, Menduhisë, e cila kishte dy të qëlluara: një afër veshit të majtë, një nën fyt. Plagët ishin të mëdha. Më pas tentoj ta kontrolloj kufomën e shoqes sime, Lumnijes. Ia largova dorën e majtë nga Dituria që e kishte para vetës. Në atë çast foshnja jep shenja jete, hap sytë. E marr dhe e çoj te Bashkimi që ishte strukur në pyll duke qarë. I them se vajza është gjallë. Diturisë ia pastrova gojën prej gjaku të nënës, shkova në tendë, mora pak qumësht dhe i dhashë me biberon. Ia shpalova rrobat ashtu nëpër shi dhe konstatova se nuk ka plagë, por gjaku ishte nga e ëma. Diturinë ia lashë Bashkimit në prehër, ndërsa unë sërish shkova te kufomat, aty ku e gjeta foshnjën. Kufoma e bashkëshortes (Lumnijes) ishte e dëmtuar në gojë, në gjoks dhe në krahun e majtë. Vetëm një metër më larg ishte kufoma e trembëdhjetë, e kunatës Mihane Deliut (bashkëshortes së Ademit). Ishte e shtrirë në bark, ndërsa në shpinën e saj ishte një plagë shumë e madhe, si të kishte ndodhur ndonjë eksplodim, ku edhe organet e brendshme i kishin dalë jashtë trupit. Kufoma e katërmbëdhjetë ishte e Donjeta Hajriz Deliut, shtrirë në bark dhe e qëlluar në kokë nga prapa. Kufoma e pesëmbëdhjetë ishte e Gentianë Hajriz Deliut, e qëlluar po në kokë si Donjeta. Kufoma e gjashtëmbëdhjetë, në këtë luginë të këtij pylli, ishte Zahide Deliu (bashkëshortja e Hajrizit). Ishte qëlluar në nofullën e poshtme dhe koka ishte e shkatërruar me tru të nxjerrë jashtë…

Gjatë tërë kësaj kohe moti ishte me shi. Tani kufoma nuk kishte më, por mungonte gjysma e familjes, tre fëmijët e vëllait (Enverit), djali im dhe nëntë të tjerë, gjithsejtë 13 që më parë kishin qenë të gjithë së bashku. I kërkova nëpër pyll rreth tendës por, kot. Gjeta vetëm një palë këpucë të Hajrizit rreth 100 metra larg tendës dhe asnjë shenjë tjetër. Atëherë vendosa që të bëj përpjekje ta shpëtoj Diturinë gjashtëjavëshe. Me Bashkimin filluam rrugëtimin për në Lagjen Strumcaku. Në këtë lagje ishin të vendosur bashkëluftëtarët. Mua më kishte humbur fuqia. Shiu dhe balta bënë të vetën. Kështu, pas një ore arritëm te shokët rreth 2.5 km më tej. Atyre ua rrëfeva ngjarjen dhe Diturinë e lashë në përkujdesje të ushtareve: Rahimës, Hamides, Linditës dhe Leonorës. Ndërsa unë mora shokët dhe u kthyem prapë në lagje.

Posa hyra aty takova Florien (42 vjeçe) me dy fëmijët (Mentorin, 9 vjeç dhe Arjetën, 5 vjeçe). Ishte e tronditur dhe më tha se serbët ia kanë vrarë burrin në praninë e saj dhe kanë marrë me vete kunatin, Habibin dhe dy vajzat (Mihanën, 16 vjeçe dhe Antigonën, 14 vjeçe). Kur e pyeta se çka ka ndodhur me anëtarët e tjerë të familjes, Floria u përgjigj se nuk di, sepse posa i kanë parë forcat serbe u ndanë dhe kanë filluar të ikin. Në ikje kanë hasur në një grup serbësh të tjerë, diku rreth 200-300 metra larg tendës dhe ishin ndaluar. Pasi më informon përafërsisht vendin se ku hasën në pritë, mora shokët dhe u nisa drejt vendit të ngjarjes. Fillimisht shkuam te kufomat që tani diheshin dhe aty formuam tri grupe: Grupi i parë prej katër rojeve te kufomat; i dyti dhe i treti me nga pesë persona në kërkim të të humburve. Më vonë formojmë edhe grupin e katërt që ngarkohet për hapje të varreve. Edhe pse binte shi pandërprerë, i kërkuam të humburit por, kot. Gjetëm vetëm gjurmët (batanijet dhe ushqimin e dy vajzave). Në mbrëmje kontrollova hapjen e varreve dhe konstatova se ishin përfunduar 10 nga 16 sa duhej hapur. Kërkova që të vazhdojë puna edhe gjatë natës. Ushtari Afrim Hysenaj m’u drejtua me fjalët: “Imer, është vonë. Njerëzit janë të lodhur dhe të lagur. Po më vjen rëndë, por kam një propozim, nëse më lejon”. Fol lirisht!, – i thashë. “Diku në fshatin Tërstenikë (rreth 7 km nga vendi i ngjarjes), – vazhdoi ai, duhet të ndodhet z. Murat Musliu, anëtar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut për Komunën e Skenderajt. Ai ka celular dhe aparat fotografik, prandaj kisha thënë mos të ngutemi dhe ta mbulojmë këtë krim të serbëve pa e dokumentuar”. Këtë propozim e pranova. Afrimi shkoi ta informonte Murat Musliun, kurse unë me njerëzit që hapnin varret shkuam të çlodheshim dhe të tereshim nga lagështia e shiut.

Gjatë natës së 28-29 shtator 1998 u organizua roja në vendin e ngjarjes, detyrë të cilën me përkushtim e kreu ushtari Avdullah Hajdaraj me skuadrën e vet. Mëngjesi i 29 shtatorit ishte i ftohtë, por pa reshje. Unë me shokët filluam punën në dy drejtime: në kërkimin e të humburve dhe hapjen e varreve. Rreth orës 8:30 të 29 shtatorit gjetëm edhe kufomat e vëllezërve Habib e Hysen Deliut. Habibi ishte i masakruar me armë të ftohta, i zhveshur dhe në shpinën e tij nga thika serbe ishin skalitur katër C-C-C-C njëra mbi tjetrën. Kurse kufoma e Hysenit ishte qëlluar me armë zjarri. Të dy kufomat ishin të mbuluara me dushk dhe të larguara nga vendi i krimit rreth 100 metra. Tani numri i kufomave arriti në tetëmbëdhjetë. Rreth orës njëmbëdhjetë në vendin e ngjarjes kishin arritur mediat e shkruara dhe tv BBC. Më ftojnë të shkoj.

Sa arrita atje, Jetullah Hasanaj më informoi se në lagjen Hysenaj (periferi të fshatit) gjenden katër fëmijë të plagosur që nuk dinë të informojnë se kush janë. Pas pak kohe me Jetullahun shkova te fëmijët. Tre prej tyre ishin të vëllait tim, Enverit: Besniku, 5 vjeç, Liridona, 3, Arlinda, 1 dhe djali im, Alberti, 2.5 vjeç. Për një moment u gëzova, por ishin aq të traumatizuar. Porsa më panë me uniformë Besnikut i ra të fikët, ndërsa të tjerët qanin dhe frikësoheshin. Nuk më njihnin fare. M’u desh një kohë që t’i stabilizoj për të më njohur. Pastaj me një traktor i dërgova në fshatin Tërdec, te daja i Besnikut. Unë detyrohem të kthehem shpejt në vendin e ngjarjes për ta filluar varrimin e 18 kufomave të gjetura. Më 29 shtator gjatë tërë ditës forcat serbe vazhduan granatimin nga Likoci (rreth një kilometër e gjysmë distancë), pasi që i përcillnin lëvizjet tona. Gjatë bartjes së kufomave na u vra kali që tërhiqte kufomat e u dëmtuan edhe më shumë kufomat e Ademit dhe Zeqirit.

Megjithatë, më 29 shtator 1998 në mbrëmje e përfunduam varrimin e 18 të vrarëve dhe tani, nga të familjes sonë ishin të humbur edhe katër veta: Sherifi, Hajrizi, Mihanja dhe Antigona. Nga 30 shtatori deri më 5 tetor çdo ditë kërkoja me shokë të humburit, por edhe i vizitoja fëmijët në Tërdec, dhjetë kilometra larg.

Më 5 tetor, rreth orës pesëmbëdhjetë gjetëm edhe kufomat e motrave Mihane dhe Antigonë Deliu (të 19-n dhe të 20-n me radhë) rreth 800 metra larg tendës. U zbuluan në saje të erës që kundërmonte në pyll, nga dy ushtarët e fshatit Abri, Ali Strumcaku dhe Afrim Hysenaj. Ishin të masakruara, me sy të nxjerrë, të therura me thikë në gjoks dhe të dëmtuara edhe në pjesët e tjera të trupit.

Më 21 tetor 1998 gjendët kufoma e 21-të, i mbyturi Hajriz Deliu, të cilin, pasi e kishin masakruar me armë të ftohta, e kishin bartur dhe hedhur në një pus rreth 12 metra thellësi. Pas këtij rasti në familje konsiderohej i humbur edhe Sherif Deliu.

Në rrethana lufte, pa kushte elementare për jetesë, mungesa e gjirit të nënës, të ftohtit dhe mungesa e përkujdesjes mjekësore, bënë që familjes Deliu, më 19 nëntor, t’i shtohet edhe një viktimë, e 22-ta me radhë, Diturie Deliu (17. 8. 1998-19. 11. 1998). Ajo e mbijetoi masakrën e 26 shtatorit, por nuk mundi t’i përballonte kushtet e diktuara nga lufta. Më 29. 3. 1999, pas gjashtë muajve e tri ditëve, gjendet i humburi Sherif Deliu, që dyshohej se, pasi qe plagosur, kishte arritur të largohet nga vendi dhe të fshihej në një përroskë të pyllit, por nuk arriti ta mbijetojë plagën dhe kishte vdekur ashtu i fshehur. Sherifi është kufoma e 23-të e masakrës së familjes Deliu që ndodhi më 26 shtator 1998. /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 26 shtator 1998, në Abri të Epërme, forcat serbe…