Rrëfim në veten e parë nga ish-ushtari i Ushtria Çlirimtare e Kosovës: Shkuarja për armatim në Shqipëri – udhëtim që s’harrohet

23 shkurt 2026 | 13:21

Lorik Dobruna: UÇK, 1998

Nëse dikush do me ditë se qysh kanë qenë ushtarët e UÇK-së me të vërtetë, mundet me i pa në këtë pamje. U rreshtuam dy nga dy, dikund rreth 30 djem të rinj. Pak para se me u nis, kaloi aty pari Shaq Dema, një djalë shtatgjatë i fshatit Gllogjan. Erdhi afër meje. Njiheshim, se kishim fjetë e hanger bukë në shpinë e bacës Demë gjatë ushtrimeve.

Më tha: – Lorik, ku je ka shkon kështu? I thashë: – Për armatim në Shqipni. Tha: – Me bluzë nuk shkohet në mal, osht ftohtë atje nalt. Unë kurrë s’kisha qenë në mal. Isha lind në qytet dhe as ditën, as natën nuk isha ngjit ndonjëherë. Më tha: – Prit, ta bi diçka me e veshë. Ma solli nji jakne të gjatë deri mbi gjunjë, ma veshi vetë e tha: – Tash nisu. Ja ka vlejt ajo jakne sa s’ka të pagume. E kam kthy kur jam ardhë prej armatimit te vëllau i tij, Mustafa, se Shaqen ma nuk e kam pa kurrë.

Nata ishte e ftohtë, me hanë. Në kambë tanë natën, gardh mbas gardhi, rrafshina. Herë lëviznim me shpinë të ulun, herë nguteshim, herë ecnim në qetësi. Livadhe, fusha. Kaluam rrugën Gjakovë–Pejë dhe prej aty filloi ngjitja. Prej Gllogjan deri në Junik m’u dok rruga e pafund. Kur arritëm në Junik, mendova se kemi mrri në Shqipni. Ishte veç çereku i rrugës.

Pashë kulla të nalta guri, të ruajtuna si me qenë të reja. U ndalëm te xhamia e Junikut, hymë mbrenda se ishte shumë ftohtë. U shtriva me fjetë, po dridhesha prej të ftohtit. U afrova në mes të djemve, ngjitun njani me tjetrin, për me u nxehë pak. S’e di a kam fjetë a jo.

Në mëngjes u çum herët, lamë faqet me ujë të ftohtë te çeshmja dhe pritshim diellin me na ra në oborr për me u nxehë. U nisëm për shtabin e Junikut. S’kishte bukë me na dhanë. Aty e morëm vesh se asnjani prej nesh nuk e dinte rrugën për Shqipni.

Një djalë i fshatit tha se mundet me na çu, po ishte pa këpucë. Ndërkohë pashë nji plakë me tesha kombëtare, veshje që e kisha pa veç në pazarin e grave në Gjakovë. U ngjit rrugës malore dalëngadalë, me duar mbrapa. Mendova se s’ka me mujt, po u ngjit pa u ndalë.

Djaloshi pa këpucë hezitoi pak, pastaj i hoqi papuqet e tha: – Hajde, nisemi kështu, e kam ma kollaj zbathun. U nisëm skaj lumit Erenik, u ngjitëm kodrave për Jasiq e Gjocaj, nëpër mal me pemë të denduna. Pamë traktorë të përplasur ndër pemë. Vërehej se luftë ishte ba. Ecëm tri a katër orë. U ndalëm nën hije të disa mollave. Pamja e Kosovës prej atyne maleve të nalta ishte e jashtëzakonshme. Qetësi, veç granatime e breshëri mitralozësh që ndigjoheshin larg. Hanim molla. Njani shkoi te daja i vet, u kthye me nji tepsi me pite. Deri sa zbrita, s’mbeti asnji copë për mu. Më ka mbet në mend aromë e yndyrës ma shumë se shija. Erdhi edhe dy herë tjera me pite. Herën e tretë na ruajti edhe për ne. M’u ra hise me hanger. Në mbramje u nisëm prapë. Ngjitja u ba e zorshme, terren me zhavorr që rrëshqiste. Serbët gjuanin me ndriçu vendin. Rrinim të shtrimë për tokë. Dikush tha se e kanë vra Xhemen – Xhemajl Abdullahun. Ishte prijësi i grupit, rreth 10 vjet ma i madh se na. Panik. U ngjitëm me vrap, po lodhja të rrëzonte për tokë. Më merrte gjumi nga rraskapitja. Në maje pamë Xhemen gjallë, hipun mbi kalë. Rrinte me krenari. Flokë të zeza, kaçurrela. (Sot dëshmor.)

 

Zbritëm në territorin e Shqipërisë. Rrugës u takuam me nji grup të madh ushtarësh që hynin në Kosovë. Ishte pamja ma e bukur për mu. Rresht për një, të organizum, ndoshta 600 veta. Në dritë të hanës u dalloheshin pushkët në krah. Kisha qejf me qenë pjesë e tyne. Në Shqipni, mal pa pemë, zbritje e fortë. Disa djem gjuanin me armë nga gëzimi, Xhema i qortoi. U futëm në nji mal të dendun. U ndamë në pesë grupe me ndezë zjarr për me u tha. Grupi jem s’dinte me ndezë zjarrin. Shkova te tjerët, mora nji dru me prush e e ndezëm. Flaka ta nxehte fytyrën, shpina mërdhike. Në zbritje, ishte hera e parë që shkelja tokën shqiptare. Ishte ëndrra jem. Natyra më dukej e bukur, përroi gurgullonte. I thashë shokut:

– A po e sheh sa bukur?

Më tha:

– Lik, s’po shoh kurrfar bukurie. Jam lodh.

Bukuria filloi me m’u ba e randë. Zhurma e përroit më shurdhonte. Dhimbje në gjunjë nga zbritja. Po s’ndalonim. Dojshim me pa Tropojë.

Ecëm orë të tana. Kalum nji grup djemsh nga Ferizaj, të rraskapitun. Thanë se disa malësorë i kishin rrahë e vjedhë.

Më në fund arritëm në nji fushë të madhe me bari. Ishte nji dyqan i vogël. Bleva smoki. Djalin zbathun që na tregoi rrugën e thirrëm e i blemë kifle. U gëzua shumë, i erdhi marre e gëzim bashkë.

Vazhduam deri në Tropojë. Disa ndërtesa me tulla të kuqe që i thonin “pallate”. U ulëm në oborrin e shkollës. Korab Dautaga s’ndalke së foluni.

Një djalë nga Drenica më pa lodhjen. Donte me m’i hekë këpucët e çorapet, me m’i ngjeshë kambët. Më erdhi marre prej erës, po më tha:

– Rri ti mes nesh, tash kfjellesh.

M’i ngjeshi kambët. S’ndieja gja, po u kfjella. U çova me pa qytetin. Furrat pa bukë, rrugë me gropa e pluhur.

U nisëm për fshatin Hoxhaj. Rrugë e gjatë, pluhur, diell i nxehtë. As ujë s’kishte me la faqet.

Edhe atje – histori në vete…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Napoli po pret oferta në verë për Scott McTominay. Mesfushori,…