Rrëfimet e anëtarëve të familjes Bicurri që pretendojnë se i humbën miliona euro në fajde

05 maj 2025 | 07:59

Dy vëllezër nga Gjakova pretendojnë se pasurinë e tyre të fituar nga ndërtimi i banesave shumëkatëshe në Gjakovë e Prishtinë e humbën në fajde. Lista e personave që nga ta apostrofohen si fajdexhinj është e gjatë.

Familja Bicurri nga Gjakova, e cila që nga paslufta ishte marrë me ndërtimin e objekteve të larta pretendon se pasurinë që e kishin krijuar për disa vite e ka humbur në fajde.

Anëtarët e familjes Bicurri pretendojnë se kanë ndërtuar me qindra banesa në Prishtinë e Gjakovë ndërsa sot jetojnë me qira, sepse, siç pretendojnë ata, fajdeja ua mori edhe banesat e trashëguara nga prindërit.

Ndërsa ata që sot i kanë në posedim disa nga banesat e objektet e kësaj familjeje theksojnë se kanë kontrata të shitblerjes për ato prona me familjen Bicurri.

Rastet asnjëherë nuk ishin raportuar në Polici a Prokurori.

Emrat e personave të apostrofuar si fajdexhinj nga familja Bicurri nuk do ekspozohen deri në përfundimin e hetimeve të mundshme të Prokurorisë.

Këto kontrata nuk mohohen nga familja Bicurri, por thonë se ato kontrata u bënë me çmime joproporcionale për ta kthyer fajdenë.

Disa anëtarë të kësaj familjeje, siç pretendojnë ata, nga presioni i borxheve e fajdeve ishin larguar nga Kosova e disa ishin kthyer më pas por as ata nuk kanë pasur guximin që rastet t’i raportojnë në organet e ndjekje. Ata që kishin mbetur në Kosovë përmendin kërcënimet që kanë marrë nga persona të ndryshëm.

Ilir Bicurri ka rrëfyer për emisionin “Kallxo Përnime” problemet që ia krijoi fajdeja familjes se tij.

Bicurri pretendon se ka paguar nga 3 deri ne 4 milionë euro fajde, por nuk i ka raportuar në Polici sepse ka qenë i kërcënuar nga fajdexhinjtë.

“Unë kam paguar mbi një milion euro fajde, me gjithë vëllanë bëhen ndoshta 4 me i mbledhë, 3 deri në 4 milionë me e mbledh pasurinë që na i kanë marrë, banesat e shitoret, e sendet. Kam kontrata të banesave e lokaleve që ju kam njerëzve të cilët pasi me kanë dhanë fajde me kanë thanë me i lënë peng dhe më pas kemi bo kontrata sepse kam qenë i kërcënuar dhe s’kam pasë zgjidhje tjetër. Një kohë unë jam larguar nga Kosova nga frika por tash po du me tregu se nuk kam çka hupi më”- thot Bicurri.

Se fajdexhinjtë e kanë shkatërruar këtë familje dhe biznesin e tyre e thot edhe vëllai i Ilirit, Florim Bicurri.

Ai sot jeton në një vend të Europës.

Kur u kontaktua nëpërmjet telefonit  thot se problemi i tij është aq i madh sa që nuk mund të bisedojë nëpërmjet telefonit, por e pranon se nga Kosova ka ikur për shkak të fajdesë.

“Më të kallëzuu të drejtën nuk jam unë shumë për Europë po m`u kanë bo punët ashtu, kam ardhë. Neve na njohin krejt Gjakova, komplet një Gjakovë edhe e dinë a na kemi bo keq, a na kanë bërë njerëzit neve keq, se me pasë bo unë keq isha në vend temin e në shpi time edhe e kisha ruajtë pasurinë. Pasojat jemi duke i vuajtë na. Unë për veti i kam ndërtu 285 banesa edhe sot jam pa shtëpi në Kosovë, edhe rrugëve në Europë më kanë bo krime se kam qenë njeri i butë, njeri i kulturuar, njeri i urtë. Me të vërtetë na kanë fikë derën fajdexhinjtë, derën na kanë fikë, na kanë marrë në qafë krejt se jena kanë punëtorë, kemi ditë me udhëheq firma të mëdha, kemi punu me nder, me njerëzi, me ndërtim. Kam pasë tragjedi që ka ndodhë e paparë se këta fajdexhinjtë kur të shtinë nën këmbë nuk të lëshojnë kurrë”- thekson Bicurri.

Ish-gruaja e Ilirit, E.H., e cila nuk ka dëshiruar të shfaqet më fytyrë, thekson se ka qenë dëshmitare e kërcënimeve e thirrjeve të vazhdueshme nga persona të ndryshëm.

“Iliri një kohë u largua dhe nuk u lajmëru sa kohë unë jam përballë e vetme me njerëzit që vinin në banesë për të kërkuar borxhet e fajdeve, kemi pasë kërcënime të shumta. Nga problemet e fajdeve na dolën edhe probleme në familje, Iliri u bo shumë agresiv dhe ka pasur sjellje të keqe me mua dhe fëmijët. Kjo ke arsyeja që ne edhe u ndamë por fajdeja ma mori edhe një banesë që e kam pasë mbi emrin tim dhe sot të dy jetojmë me qira” – thekson ajo.

Në një rast Ilir Bicurri për të marrë para me fajde kishte pasur edhe dëshmitar.

Ky dëshmitar, i cili nuk pranon të flasë duke iu shfaqur fytyra, thot se ka qenë dëshmitar kur Ilirit i janë dhanë 93 mijë euro me fajde e madje pretendon se ka qenë dëshmitar kur një person e ka kërcënuar Ilirin me kidnapimin e gruas nëse nuk paguhen paratë e marra me fajde.

“Po ato 93 mijë euro ai person m’i ka pru mua dhe unë ia kam dhanë Ilirit. Në fillim qëllimi ka qenë me i ndihmu Ilirit ai personi që i ka dhanë këto para betohet se nuk ka marrë fajde por me vonë e kam kuptuar se i ka në posedim disa prona të Ilirit që ai thot i ka ble. Ne një rast tjetër unë kam qenë dëshmitar që për 7 mijë euro fajde i kanë thanë ta marrim gruan dhe unë i kam pagu ato 7 mijë euro” – thotë dëshmitari R.I. /Kallxo

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka paralajmëruar që deri në…