Në 28 nëntorin e para 28 vjetëve, bashkë me dy shokët e luftës shkruan historinë. Daut Haradinaj, Mujë Krasniqi e Rexhep Selimi i treguan botës për përpjekjet e shqiptarëve për liri e pavarësi.

Kjo datë e gdhendur sot në gurët e historisë shqiptare, shënon daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një nga tri figurat që doli para mijëra njerëzve, ishte gjeneral Daut Haradinaj, i cili për KosovaPress tregon për detajet e asaj dite.
Daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai rrëfen se i kishte paraprirë beteja në Vojnik të Skenderajt.

Ai kujton se në mbrëmjen e vonë të 26 nëntorit ishte takuar me Mujë Krasniqin dhe ‘Dervishin’ nga Klina, të cilët i kishin treguar për dyluftimin që kishin pasur me forcat serbe.

Se si ishin bërë përgatitjet për varrimin e Halit Gecit- mësuesit të shkollës në Llaushë të Skenderajt, rrëfen Daut Haradinaj, atëkohë gjeneral i Zonës Operative të Dukagjinit.

“Më thanë se kishte mbetur i vrarë mësuesi Halit Geci”…. si u bën përgatitjet për daljen e parë publike të UÇK-së.

“Edhe aty tani më shumë u kuptua se si është gjendja, se kishte pasur një dyluftim në Vojnik te Abedin Rexha. Forcat serbe gjatë tërheqjes pastaj kishin sulmuar shkollën, më thanë kishte mbetur i vrarë mësuesi Halit Geci edhe në Llaushë, domethënë aty në konsultim e sipër u diskutojke ceremonia e varrimit, mësuesit, kishte reshje të mëdha të shiut, kushtet atmosferike nuk kanë qenë shumë të përshtatshme. Por, shumica e njerëzve që kanë qenë në mobilizim aty në zonë, duke përfshirë prej komandantit Adem Jasharit dhe burrave tjerë, që janë sot heronj një pjesë e madhe e tyre, ideja ka qenë me u bo gati për një dyluftim sepse pritej një sulm i ri i forcave serbe, por, siç duket, e kishim pësuar keq një ditë më herët edhe ajo nuk ndodhi”, rrëfen ai.

Forcat serbe kishin gjuajtur në drejtim të shkollës dhe civilëve pa asnjë provokim.

Mësuesi Halit Geci ishte varrosur më 28 nëntor të vitit 1997, pikërisht në ditën kur edhe u vendos dalja e parë publike e UÇK-së. Të dy këto ngjarje shënojnë historinë e lavdishme të popullit shqiptar për çlirim.

Haradinaj thotë se nuk e kishte menduar se atë ditë po shkruhej historia.

“Nuk e kemi ditë peshën e ngjarjes”… Haradinaj tregon si u vendos dalja në publik e UÇK-së

“Aty nuk bëhej llaf se çfarë peshe do të ketë kjo ngjarje ose ajo ngjarje, po qëllimi ishte sa më pak dëme në palën tënde dhe sa më shumë dëme t’i shkaktohen, në këtë rast forcave serbe. Kur e kanë vendosë aty jemi krejtësisht duhet me qenë transparent, jo, nuk e kemi ditë peshën e ngjarjes, domethënë aty është vendos Muja dhe Rexha me dalë, mua Drenica më ka nderuar personalisht, edhe si mysafir ndoshta edhe si djalë i ri, edhe si një zonë që në atë kohë veç kush e din tash pak historinë, ishin disa muaj kur veç ish vra Luani, ishte plaguar Ramushi, ishte plaguar Fehmi Lladrovci. Kishte pasur një betejë shumë të madhe, domethënë ma herët kishte ndodhë rasti i vrasjes së Adrian Krasniqit në Dukagjin, në stacion policor në Kliqinë, ishte vrarë po ashtu dy-tre ditë më herët Halit Gjoci, i Gjoçajve të Junikut, një burrë edhe një aktivist shumë i fuqishëm i kohës edhe pjesëmarrja e Daut Haradinajt në ngjarje më shumë ka nënkuptuar se Drenica dhe Dukagjini janë bashkë në një luftë tashmë të padiskutueshme, dhe s’kishte kthim mbrapa. Dihej qartë që Serbia nuk largohet prej Kosove pa ia ngreh gishtin, nuk largohet prej Kosovës pa gjak”, tregon Daut Haradinaj në intervistën për KosovaPress.

Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi e Daut Haradinaj ishin tre luftëtarët që i dhanë lajmin popullit se kishte ushtri çlirimtare.

Asnjëri nga ta nuk kishte të vendosur të njëjtën emblemë të UÇK-së.

Kush ja dha uniformën Daut Haradinajt ditën e daljes publike të UÇK-së?

“Kur kam shkuar në Drenicë në tesha civile. E kam pasur një tip setre që ka qenë e ngjyrës ushtarake, por shumica e njerëzve që kanë qenë në shtëpinë e Sabit Gecit, pjesa më e madhe, pjesa dërrmuese, kanë qenë. Edhe ishte koha e parë kur uniformat e UÇK-së kishin ardhur në Kosovë edhe kanë qenë uniforma zvicerane. Edhe ajo fotografia, video që del tash, shihet që janë uniforma zvicerane, pasi janë kryer konsultimet edhe u ardh përfundimi se kush do ta lexon deklaratën, në këtë rast Rexha, kanë thënë edhe Dauti të jetë pjesë, uniformën ma ka dhënë mua Musë Jashari. Domethënë unë s’kam pasur uniformë. Uniformën e kam të tij. Pastaj ajo tip berete, domethënë ka qenë improvizuese edhe tash nuk po dua t’i zhvleftësojë parafolësit edhe ata që po flasin për luftën edhe për historinë e UÇK-së por e vërteta është që ne nuk kemi pasur emblema të UÇK-së akoma në Kosovë. Domethënë, edhe nëse i shihni videot e pamjet, shihet që emblema e UÇK-së deri në këtë ditë nuk ka qenë në Kosovë edhe njerëzit sado që mundohen me marrë primat se kishte ose s’kishte, nuk kishte. Unë e mbaj mend si sot kur e kam vendos një flamur kombëtar të Ushtrisë së Shqipërisë dhe në atë kohë ishte një ngjyrë shqiponjë e zezë me ngjyrë të kuqe e rrethojë, po që ishte një ngjyrë shumë e kuqe, tepër e kuqe. Edhe sot e kësaj dite, nëse e shihni emblemën e Ushtrisë Shqiptare, është tepër e kuqe dhe ngjyra është shumë e zezë. Që i bjen që as për së afërmi, s’përputhet me këta të UÇK-së”, tregon Daut Haradinaj.

Njëzet e tetë vjet pas, në intervistën për KosovaPress, një nga tre luftëtarët që i dhanë lajmin popullit për UÇK-në, kujton reagimin e popullatës kur si të uniformuar dolën para turmës.

“UÇK, UÇK”, Daut Haradinaj kujton brohoritjet e popullatës në varrimin e mësuesit Halit Geci

“Kur ka dal UÇK në binë, në fillim ka qenë një qetësi një vdekje klinike, unë i them, dhe tash nuk kanë ditë a mu tut, a mu gëzu a çfarë është ka ndodhë, ndoshta edhe s’kanë mbërri ta kuptojnë mirë që janë njerëz të UÇK-së, sepse uniforma e parë publike, kah jemi shku në binë, bile e mbaj mend që më tha Rexha ‘vendose maskën’, i thash ‘s’kam marrë hiç unë maskë’. Dhe kjo është arsyeja pse jam edhe pa maskë, nuk bëhet fjalë që unë kam qenë më trim se Rexha apo Muja por rasti ndodhi qysh ndodhi edhe kur ka filluar Rexha me thënë fjalimin e parë, sa e ka kryer, i mbaj mend disa gra afër arkivolit kanë filluar domethënë brohoritjet kanë filluar mu ngritë në këmbë. Dhe sidomos 1. pas atij zërit të madh kur ka ardhur ‘UÇK, UÇK’ prej lart, afër njëfarë malit. Atëherë më aty nuk ka pasur, 2. ka qenë si uragan, masa në këmbë, thuajse pesha e fjalimit veç s’ka pasur hiç rëndësi se çka po thua ose çfarë mesazhi je ka jep, mesazhi ishte prezenca fizike përballë gjithë atij lumi të njerëzve që ishin përballë neve domethënë që të gjithë u quan në këmbë, po thuajse e harruan edhe arkivolin e heroit tanë, se i kishim para vetit që të dy partë, edhe populli e kishte përpara, por edhe ne”, rrëfen mes tjerash Haradinaj.

Ditën e varrimit të mësuesit Halit Geci, të vrarë nga forcat serbe, brenda masës kishte njerëz të armatosur. Daut Haradinaj rrëfen se nuk ishin kthyer në rrugën e njëjtë nga ishin shkuar dhe që në veturë, në të dy drejtimet ishte Musë Jashari.

Ndër tjera, thekson se atë ditë ishin marrë masat që të mos rrezikohen qytetarët, meqë kishte pos blloqe në pjesën e Skenderajt.

“Kështu që edhe prej atij momenti, mendoj që Kosova veç ka hyrë në luftë, ndoshta jo në përmasat kombëtare shpejt e shpejt por familjet e mëdha, zonat e caktuara, zonat e traditës luftarake, domethënë pothuajse të gjithë janë mobilizuar edhe duhet me e përdor edhe me deklaru një fakt shumica e familjeve në Kosovë kishin pasë armë, domethënë qysh në kohën e Luftës Dytë Botërore, kohën e Rankoviqit e pastaj deri kur kishin filluar ndoshta edhe prej diasporës, por unë e di që, kur kanë filluar njësitë e para të mobilizohen e të ekspozohen më shumë, njerëzit veç të kanë ardhë edhe me armë të armatosur, dikush me i pushkë gjuetie, dikush me një manxere të mbretit, i kanë thënë më parë, dikush me naj pistoletë, ka pasur familje që kishin pasur edhe kallashnikovë për shembull pushkë të Jugosllavisë që në fakt, kur i dëgjojë të tjerët që thonë ‘Lufta ka filluar në vitin 1998’, mendoj që lufta ka filluar pikërisht në Llaushë me datën 26, 27 dhe 28”, shprehet Haradinaj.

Njëzetetetë vjet më parë e lexoi fjalimin që hyri në histori, sot Rexhep Selimi po akuzohet për krime të pretenduara të luftës.
Bashkëluftëtari i tij, Daut Haradinaj thotë se po bëhet padrejtësi e madhe historike, teksa shton se “nëse ka drejtësi, drejtësia është në anën tonë”.

“Më dhimbset se Rexhep Selimi sot duhet të ballafaqohet me kësi shpifjesh të nivelit më të ulët, me një drejtësi ndërkombëtare, ku bota e din realitetin në Kosovë, kur NATO, në krye me SHBA-në, pikërisht për shkak të gjenocidit serb, ka ndërhyrë e ka bombarduar Beogradin, e ka bombarduar Ambasadën Kineze në Beograd, në mbrojtje të dinjitetit dhe të drejtës njerëzore, në këtë rast mbrojtje të qytetarëve shqiptarë të Kosovës, sepse kemi pasur mbi një milion banorë të shpërngulur prej Kosovës me dhunë.

Dhe kjo është e vërteta jonë dhe më dhimben këta burra që ballafaqohen me kësi ndyrësirash edhe kurrkush prej faktorit ndërkombëtar nuk e ngrit zërin për një të vërtetë, sepse drejtësia ndërkombëtare, veç fjala drejtësi ndërkombëtare, kjo duhet me tingëllu edhe në Bashkimin Evropian, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se në emër të tyre po bëhet kjo padrejtësi kundër bashkëluftëtarëve të mi, në këtë rast kundër Hashimit me shokë. Dhe unë nuk e fshehu, domethënë e kam quajtur Gjykatë Raciste, domethënë ajo që gjykon shqiptarë, e për 15 mijë shqiptarë të vrarë e të zhdukur, e të masakruar e hala nuk i kemi gjetur 2-3 mijë njerëz tanë, nuk e ka ngrehur asnjë akuzë, nuk e pranon as tash e patëm rastin para disa jave, nuk e pranoi as lëndën për njerëzit e zhdukur dhe të vrarë e masakruar në Kosovë”, përfundon Haradinaj.

113 vjet më parë në Vlorë u shpall Pavarësia e Shqipërisë, si kurorëzim i përpjekjeve shekullore të shqiptarëve për çlirim të vendit.

28 nëntori është edhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari.