Rrëfimi i ish-ushtarit të UÇK-së që u mbajt rob 40 ditë nga Serbia
Karavanit të 150 ushtarëve të lirisë, po i printe Mujë Krasniqi, i njohur si komandant “Kapuçi”.
13 dhjetori i vitit 1998 i gjeti në Cahan të Krumës, e mbrëmjen e asaj të diele, morën rrugën për në Kosovë.
Ata gjatë këtij rrugëtimi u përballën me një prit nga forcat serbe.
Nga dëshmorët e parë që ranë në këtë betejë, ishte Veli Ballazhi. Por, kushëriri i tij, Sameti, nuk e pati këtë fat. Ky i fundit, ishte në mesin e 8 ushtarëve të UÇK-së, të cilët u zunë rob nga forcat serbe.
Sameti tregon se motivi për t’iu bashkuar UÇK-së lindi nga gjendja e rëndë në Kosovë dhe nga luftimet që nisën në Drenicë, duke e shtyrë atë dhe bashkëluftëtarët të shkonin në Shqipëri për t’u trajnuar dhe për t’u radhitur në radhët e rezistencës.
Ai tregon se grupi që u kapën rob u mbajt i ndarë në burgje të ndryshme në Serbi për rreth 40 ditë, duke përjetuar kushte të rënda dhe pasiguri të vazhdueshme për fatin e tyre.
Lirimi i tyre u bë përmes një marrëveshjeje këmbimi, me ndërmjetësimin e OSBE-së.
Kjo ndodhi pasi në një betejë në Shalë të Bajgorës, UÇK-ja kishte zënë rob 8 oficerë serb dhe përmes OSBE-së ata ishin shkëmbyer me ushtarët e UÇK-së.
Pavarësisht vuajtjeve dhe pasojave fizike nga plagët e luftës, Ballazhi thekson se besimi në liri nuk u shua asnjëherë.
“Ne u betuam: ose vdekje, ose liri”, shprehet ai, duke shtuar se edhe në momentet më të vështira besonin se Kosova do të ishte e lirë, edhe nëse jo për veten e tyre.
Ushtarët serb, të kapur rob nga UÇK-ja që u shkëmbyen me grupin e Samet Ballazhit
Sot, rrëfimi i Samet Ballazhit mbetet një dëshmi e gjallë e sakrificës, qëndresës dhe idealit për liri.
Historia e tij kujton se liria dhe pavarësia e Kosovës nuk erdhën lehtë, por u ndërtuan mbi dhimbje, përkushtim dhe besim të palëkundur në të ardhmen.



