Rregulla të reja në Roblox, fëmijët s’mund të flasin më me të rritur që s’i njohin
Fëmijët nuk do të jenë më në gjendje të bisedojnë me të rritur të panjohur në Roblox – një nga platformat më të njohura të lojërave në botë – si pjesë e zgjerimit të masave të sigurisë.
Verifikimi i detyrueshëm i moshës do të futet për llogaritë që përdorin opsionet e bisedës, duke nisur në dhjetor për Australinë, Zelandën e Re dhe Holandën, e më pas në gjithë botën nga janari.
Roblox është kritikuar për lejimin e fëmijëve që të hyjnë në përmbajtje të papërshtatshme dhe të komunikojnë me të rritur, dhe aktualisht po përballet me padi lidhur me sigurinë e fëmijëve në disa shtete të SHBA-së.
Ky lansim vjen pak para ndalimit të rrjeteve sociale për nën-16 vjeçarët në Australi – dhe qeveria është nën presion që në këtë ndalim të përfshihen edhe platformat e lojërave si Roblox. Në mars, shefi ekzekutiv i Roblox, Dave Baszucki, i kishte thënë BBC-së se prindërit që shqetësohen për shërbimin “nuk duhet t’i lënë fëmijët e tyre në të”, transmeton Sinjali.

Megjithatë, disa prindër dhe aktivistë paralajmërojnë se fëmijët mund të hasin ende përmbajtje të papërshtatshme ose të komunikojnë me të rritur në platformë, pavarësisht masave ekzistuese të sigurisë.
Rani Govender, menaxhere e politikave për sigurinë e fëmijëve online në NSPCC, tha se të rinjtë janë të ekspozuar ndaj “rreziqeve të papranueshme” në Roblox, “duke i bërë shumë prej tyre të prekshëm ndaj dëmtimit dhe abuzimit online”.
Organizata mirëpriti përpjekjet e platformës, por u bëri thirrje Roblox-it të “sigurojë që ndryshimet të zbatohen në praktikë dhe të pamundësojnë që autorët e abuzimeve të synojnë e manipulojnë përdoruesit e rinj”.
Platforma kishte një mesatare prej më shumë se 80 milionë lojtarësh aktivë në ditë gjatë vitit 2024, rreth 40% e të cilëve ishin nën moshën 13 vjeçare. Ligji për Sigurinë Online në Mbretërinë e Bashkuar vendos detyrime të rrepta për të gjitha kompanitë teknologjike për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet online.
Rregullatori i komunikimeve, Ofcom, është përgjegjës për zbatimin e këtij ligji.
Anna Lucas, drejtore e mbikëqyrjes së sigurisë online në Ofcom, tha se ishte e kënaqur me masat e reja të verifikimit të moshës.
“Platformat duhet të ndërmarrin hapa për t’i mbajtur fëmijët të sigurt, dhe ne po sigurohemi që ato të përmbushin përgjegjësitë e tyre. Ka ende punë për të bërë, por ndryshimet po ndodhin”.
Në SHBA, Roblox po përballet me padi në Teksas, Kentaki dhe Luiziana në lidhje me sigurinë e fëmijëve.
Roblox thotë se do të bëhet platforma e parë e madhe e lojërave që e bën verifikimin e moshës përmes fytyrës të detyrueshëm për qasjen në opsionet e bisedës.
Matt Kaufman, shefi i sigurisë në Roblox, tha në një konferencë se teknologjia e vlerësimit të moshës është “mjaft e saktë”.
Ai pretendoi se sistemi mund të bëjë vlerësime të përafërta “brenda një ose dy vjetësh” për përdoruesit nga mosha pesë deri në 25 vjeç.
Aktualisht, verifikimi mund të përdoret vullnetarisht nga çdo përdorues në botë. Ata që e përfundojnë procesin do të vendosen në grupe moshe: nën 9 vjeç, 9–12, 13–15, 16–17, 18–20 dhe 21+.
Lojtarët do të mund të bisedojnë vetëm me të tjerë brenda së njëjtës kategori moshe, përveç rasteve kur i shtojnë si “kontakt i besuar”, funksion i rezervuar për persona që i njohin.
Nën-13 vjeçarët do të vazhdojnë të kenë të bllokuara mesazhet private dhe disa biseda, përveç nëse prindi jep leje.
Qasja e re vjen pas shqetësimeve për kontaktet e të rriturve me lojtarët më të rinj.



