Rregulli 90/180 i schengenit shkakton kaos: Protestat e kompanive transportuese izolojnë bizneset e Kosovës

26 janar 2026 | 19:56

Kriza e transportit në Ballkanin Perëndimor ka eskaluar këtë të hënë në një bllokadë të koordinuar rajonale. Shoferët e kamionëve në katër shtete të ndryshme kanë bllokuar terminalet doganore të mallrave, në shenjë proteste ndaj rregullave kufizuese të hyrjes në Bashkimin Evropian, të cilat po rezultojnë me dëbimin (deportimin) e shoferëve për tejkalim të ditëve të qëndrimit në zonën Schengen. Në dritën e këtyre zhvillimeve, komuniteti i biznesit në Kosovë ka ngritur alarmin këtë të hënë lidhur me ngërçin që, sipas tyre, përbën “rrezik real për ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit.”

Ankesa kryesore, sipas Reuters, është se shoferët – për shkak se janë shtetas të vendeve të treta, pa status qëndrimi/pune në BE – trajtohen si vizitorë afatshkurtër, ndaj mund të qëndrojnë fizikisht në zonën Schengen vetëm deri në 90 ditë brenda çdo periudhe rrotulluese prej 180 ditësh.

Institucionet përfaqësuese të bizneseve në Kosovë kanë reaguar ndaj pasojave që po sjellin protestat e kompanive transportuese në shtetet e rajonit, të cilat efektivisht kanë paralizuar eksportin dhe importin e mallrave drejt Bashkimit Evropian.

Oda Ekonomike e Kosovës ka shprehur shqetësimin se këto zhvillime po shkaktojnë “pasoja serioze për funksionimin normal të bizneseve kosovare dhe për rrjedhën e tregtisë ndërkombëtare.”

Sipas OEK-ut, bllokada ka ndikuar “drejtpërdrejt në pamundësimin e eksportit dhe importit të mallrave drejt dhe nga vendet e Bashkimit Evropian, duke krijuar vonesa të konsiderueshme, kosto shtesë për kompanitë dhe rrezik real për ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit.”

Oda, përmes Forumit Investues të Odave të Ballkanit Perëndimor (WB6 CIF) që drejtohet nga Lulzim Rafuna, i është drejtuar Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në letrën e datës 20 janar 2026, ngrihet shqetësimi urgjent për ndikimin e rregullave të kufizimit të qëndrimit për shoferët profesionistë.

Sipas dokumentit, zbatimi i rreptë i rregullit “90/180 ditë” për shoferët po krijon ndërprerje masive. Sipas OEK dhe WB6 CIF, kjo masë po kufizon lëvizshmërinë e punës, duke çuar në reduktimin e kapaciteteve transportuese dhe rritje të kostove. “Mbi 60% e tregtisë së përgjithshme të rajonit zhvillohet me BE-në, ku transporti rrugor është dominues. Përafërsisht 370,000 kompani preken drejtpërdrejt nga këto veprime,” theksohet në letrën drejtuar kreut të KE-së.

Në argumentimin e tij, është theksuar se kjo qasje burokratike është në kundërshtim me objektivat e vetë Bashkimit Evropian. Aty thuhet më tej se kufizimet aktuale janë “jokonsistente me objektivat e Planit të Rritjes së BE-së (EU Growth Plan)” dhe vështirë të pajtueshme me përpjekjet për integrimin e rajonit në Tregun e Përbashkët Evropian.

Shqetësim të njëjtë ka shprehur edhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, duke bërë të ditur se shumë kompani nuk po mund as të eksportojnë dhe as të importojnë mallra.

Këto protesta, thuhet aty, kanë shkaktuar probleme për kompanitë kosovare, pasi shumë prej tyre nuk po mund as të eksportojnë dhe as të importojnë mallra nga Evropa.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ka pritur me shqetësim të madh, protestat që po mbahen në shtetet fqinje nga kompanitë transportuese. Këto protesta kanë shkaktuar probleme për kompanitë tona, pasi shumë prej tyre nuk po mund as të eksportojnë dhe as të importojnë mallra nga Evropa. Me këtë rast, DHTIK, i bën thirrje Institucioneve të Kosovës që të vihen në kontakt me Bashkimin Evropian për gjetjen e një zgjidhjeje.” – thuhet në reagim.

DHTIK i bëri thirrje Institucioneve të Kosovës që të vihen në kontakt me Bashkimin Evropian për gjetjen e një zgjidhjeje. “Me këtë rast, DHTIK, i bën thirrje Institucioneve të Kosovës që të vihen në kontakt me Bashkimin Evropian për gjetjen e një zgjidhjeje. Ndërkaq Bashkimit Evropian i bëjmë thirrje që të ndërmarrë veprime urgjente për tejkalimin e kësaj situate të shkaktuar nga sistemi i njohur si EES (Entry/Exit System), që u vendos në kufijtë e jashtëm të zonës Schengen dhe nisi të zbatohej gradualisht më 12 tetor 2025.”

Shoferët kërkojnë zgjatjen e afatit të qëndrimit në zonën e lëvizjes së lirë Schengen, pasi për shkak të vëllimit të madh të mallrave që transportojnë, ata e ezaurojnë limitin e vizitave shumë shpejt. “Kjo po e vë në rrezik ekonominë tonë dhe të gjithë ekonominë e Ballkanit. Shoferët mund të humbasin vendet e punës, ndërsa kompanitë e transportit do të mbyllen,” ka deklaruar Filip Stojanov, shofer nga Maqedonia e Veriut për Reuters. Nacionale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një…