Rregullimi i kalimit hekurudhor lehtëson ndjeshëm qasjen në Aeroportin “Adem Jashari”
Udhëtimi drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” tashmë është shumë më i lehtë dhe më i shpejtë. Pas rregullimit të pjesës hekurudhore në afërsi të aeroportit, udhëtarët që frekuentojnë këtë rrugë shprehen të kënaqur me përmirësimin e qarkullimit.
Pas bashkëpunimit ndërmjet Aeroportit dhe Departamentit për Menaxhimin e Rrugëve, në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës, janë eliminuar vështirësitë që më herët shkaktonin ngadalësim dhe pritje në këtë segment rrugor. Tash, sipas tyre, qarkullimi është shumë më i rrjedhshëm dhe udhëtimi drejt aeroportit bëhet pa tollovi dhe pa vonesa të panevojshme.
“Është një lehtësim i madh që më në fund është rregulluar kjo pjesë e rrugës. Tani kalojmë shumë më shpejt dhe nuk kemi më pritjet dhe ngadalësimet që i kemi pasur më herët”, shprehen disa prej udhëtarëve që përdorin këtë rrugë.
Përmirësimi i këtij segmenti është mirëpritur veçanërisht nga udhëtarët që kanë fluturime dhe duhet të arrijnë në aeroport në kohë. Ata theksojnë se qarkullimi më i mirë u jep më shumë siguri dhe ua lehtëson ndjeshëm rrugëtimin drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Rregullimi i këtij segmenti përbën një përmirësim të rëndësishëm për qarkullimin dhe sigurinë rrugore, duke e bërë qasjen në aeroport më të shpejtë, më të lehtë dhe më komode për të gjithë udhëtarët.




