Rrëmbehet shefi zviceran i vaksinimit, rrëmbyesi dhe shoqëruesja e tij vriten nga policia

11 prill 23:34

38-vjeçari i vrarë në Wallisellen ZH të mërkurën, më 6 prill, kishte rrëmbyer shefin e vaksinimit, Christoph Berger

Mbrëmjen e së mërkurës, më 6 prill, ka pasur një shkëmbim me armë zjarri me policinë në Wallisellen të Cyrihut. Për pasojë, personi i përfshirë dhe shoqëruesja e tij kanë vdekur, transmeton albinfo.ch. 38-vjeçari gjerman ishte kërkuar më parë për një rrëmbim tjetër, në javën pararendëse, shkruan Agjencia e Lajmeve e Zvicrës, SDA.

Tani çështja merr një kthesë politikisht shpërthyese: viktima e rrëmbimit ka qenë Christoph Berger, kreu i Komisionit Federal të Vaksinimit (EKIF). Këtë e bën të ditur “Tagesanzeiger” duke iu referuar burimeve të informuara.

28-vjeçarja zvicerane e qëlluar, ka ndërruar jetë nga plumbi i armës së 38-vjeçarit që e shoqëronte. Me sa duket, ai ka vrarë shoqen e tij, transmeton albinfo.ch. Më pas, policia e ka qëlluar burrin, pasi ai “papritmas” ka hapur zjarr kur është arrestuar.

Sipas raportit të mediave, autori i dyshuar ishte një “person i dhënë pas armëve dhe skeptik i vaksinës”. Sipas “Tagesanzeiger”, policia ka sekuestruar armë dhe municione të ndryshme pasi ka kontrolluar banesën e tij. Më tej thuhet gjithashtu se ai ka qenë në kontakt të ngushtë me teoricienët e konspiracionit të koronës, por edhe asaj të “Tokës së sheshtë” (teza e konspiracionit të tokës së sheshtë: “Flat Earth”).

Siç ka njoftuar të premten prokurori publik, Instituti i Mjekësisë Ligjore ka mundur të konstatojë se 28-vjeçarja ka vdekur nga plumbi i armës së shoqëruesit të saj 38-vjeçar, përcjell albinfo.ch. 38-vjeçari ishte një gjerman që jetonte në Wallisellen ZH.

Tashmë po hetohet edhe plumbi i policisë në Wallisellen. Kjo është e zakonshme në raste të tilla, ka shkruar prokurori publik. Autoritetet nuk kanë dhënë asnjë informacion të mëtejshëm për të ndjerin.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lajmi se Finlanda do të braktisë neutralitetin e saj historik…