RRENA MË E BUKUR…

12 shtator 15:01

Ragip Sylaj

 Nuk ka asgjë më të bukur se ajo që nuk ekziston fare / Vallery

 Engjëlli im Mbrojtës

Thuama rrenën më të bukur në botë

Të mos më vrasë e vërteta

E vërteta që s’na bënë të lirë

 Për shembull:

Nuk do të druajmë kurrë nga ekstremizmi ynë

As i atyre

 Se do të ushqehemi vetëm me ushqime bio

Kurrë nuk do të vdesim nga kanceri

 Engjëlli im

Më premto se kafshët s’do t’na tmerrojnë tërbueshëm

 Tregomë si papritmas ngjallen të vdekurit e mirë

Dhe si të pavdekshmit do të bëhen udhërrëfyes të amshimit

 Më rrej se s’do të ketë më shkelës as hajna shpirtrash

Se të ndershmit s’do të frikësohen

Prej mashtrimit as prej mallkimit

 Se s’do të ketë libra sa do të ketë lexues

As virtyte – sa do t’i lakmojnë njerëzit

 

Më rrej se s’do të ketë më shitblerje të dashurisë

Se liria s’do të tutet prej nesh

E as na prej saj

Se ëndrrat parajsore do t’i shohim zgjuar

Si shtëpinë e re

Me themele në ëndërr

Me kulm n’ardhmëri

Më rrej, Engjëlli im

Se mrekullie rrethuar jam

Veçse unë s’kam sy për të parë

 (Janar 2016)

(Kjo është poezia e parë e librit “Letër engjëllit tim mbrojtës”, lënë dorëshkrim nga poeti i ndjerë Ragip Sylaj, të cilin libër është duke e përgatitur për botim shtëpia botuese “Armagedoni”)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është pritur në…