
Rreth 100 raste të reja me tuberkuloz në Pulmologji
Rreth 100 raste të reja me tuberkuloz janë shënuar në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në Klinikën e Pulmologjisë pranë Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Derisa në këtë periudhë fund gushti, rreth 10 pacientë po marrin trajtim me këtë sëmundje infektive.
Në një intervistë për KP, drejtori i Pulmologjisë në QKUK, Musa Hoxha tha se nga janari deri në qershor janë regjistruar 99 raste me tuberkuloz, ku 83 prej tyre janë pulmonare, të tjerat ekstra pulmonare dhe me tuberkuloz latente.
Ai tha se numri i pacientëve me tuberkuloz në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, është i përafërt me atë të vitit të kaluar, në po të njëjtën periudhë.
Hoxha tregon për numrin e pacientëve të cilët aktualisht po marrin trajtim në këtë klinikë për shkak të simptomave të tuberkulozit.
Hoxha potencon se kushtet në këtë klinikë nuk janë të mira dhe siç tha ai, numri i pacientëve nëpër dhoma është i lartë dhe se ka kërkesa të vazhdueshme që të zgjerohen hapësirat dhe të përmirësohen kushtet në këtë klinikë.
Në vitin 2024, numri i përgjithshëm i të prekurve me tuberkuloz në Kosovë ka qenë rreth 560.
Tuberkulozi është një sëmundje infektive kronike që prek kryesisht mushkëritë. Agjenti shkaktar i tij, mykobakteri i tuberkulozit ose bacili Koh, transmetohet nga spërklat e pështymës ose gëlbazës./KP