Rreth 11 milionë njerëz shikuan ditën e parë të gjykimit të Trumpit

23 janar 2020 | 16:38

Fillimi i gjykimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Senatin amerikan, më 21 janar, ka tërhequr rreth 11 milionë shikues televizivë në Amerikë.

Shifra është bërë publike nga Shërbimi i Vlerësimeve Nielsen.

Vlerësimet janë bazuar në shikueshmërinë për katër orë e gjysmë në gjashtë rrjete televizive që e kanë transmetuar drejtpërdrejt ditën e parë të gjykimit: “ABC”, “CBS”, “NBC”, “MSNBC”, “CNN” dhe “Fox News”.

Nielsen po ashtu ka njoftuar se dita e parë e hetimit të Trumpit në Dhomën e Përfaqësuesve, në muajin nëntor, është ndjekur nga rreth 13.8 milionë shikues.

Trumpi është presidenti i tretë në historinë e Shteteve të Bashkuara që përballet me procedura të shkarkimit.

I pari ka qenë Andrew Johnson më 1868 dhe pas tij Bill Clinton më 1998, por të dy ata janë liruar.

Trumpi, republikan, është akuzuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga demokratët, për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.

Akuzat kanë dalë nga dyshimet se Trumpi i ka bërë presion Ukrainës për të hetuar rivalin e tij politik, Joe Biden.

Trumpi ka mohur çdo keqbërje, ndërsa hetimet kundër tij i ka cilësuar si “gjueti shtrigash”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori i Universitetit të Prishtinës, Blerim Latifi, ka reaguar pas…