
Rreth 13 500 të arratisur nga burgjet në Nepal
Të paktën 51 persona janë vrarë këtë javë në Nepal gjatë protestave kundër bllokimit të rrjeteve sociale në vend dhe kundër korrupsionit, si dhe gjatë trazirave që çuan në rrëzimin e qeverisë, sipas burimeve policore.
“Sipas të dhënave zyrtare, të paktën 51 persona kanë humbur jetën gjatë trazirave, përfshirë 21 protestues dhe 3 pjesëtarë të forcave të rendit,” deklaroi për Agjencinë Franceze të Lajmeve një zëdhënës i policisë, Binod Yimire.
“Sipas të dhënave tona, rreth 13.500 të burgosur kanë arritur të arratisen. Disa prej tyre janë kapur sërish, por 12.533 janë ende në arrati,” shtoi ai.
Trazirat, të cilat konsiderohen ndër më të përgjakshmet që nga heqja e monarkisë në vitin 2008, nisën të hënën, kur policia hapi zjarr ndaj protestuesve të rinj, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 19 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve.
Të nesërmen, kryeministri KP Sharma Oli, i cili ishte në pushtet që nga viti 2024, urdhëroi rikthimin e shërbimeve të Facebook, X dhe YouTube, dhe premtoi hetim për dhunën policore. Më pas ai paraqiti dorëheqjen e tij.
Gjatë ditës së martë, protestues të rinj sulmuan dhe plaçkitën një sërë institucionesh publike, banesa të liderëve politikë dhe simbole të tjera të pushtetit në kryeqytetin Katmandu.
Ndërtesa e Parlamentit u dogj, ashtu si edhe banesa e ish-kryeministrit të dorëhequr.
Nga mbrëmja e së martës, ushtria mori kontrollin e plotë të kryeqytetit, ku u vendos një ndalim i rreptë qarkullimi.
Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, gjenerali Ashok Raj Sigdel, ka nisur bisedime, kryesisht me përfaqësues të protestuesve, për krijimin e një qeverie të përkohshme.
Ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë, Sushila Karki, 73 vjeçe, është propozuar si kandidate për të marrë postin e kryeministres, por emri i saj nuk gëzon mbështetje unanime mes protestuesve.