Rreth 23 milionë euro nga buxheti i Kosovës u ndanë për OJQ-të

15 korrik 2019 | 13:34

Shumë organizata që bëjnë monitorimin e shpenzimeve të parasë publike kanë kritikuar me vite të tëra institucionet për mënyrën e shpenzimit të parasë.

Gjatë viteve të fundit ka pasur edhe “lirim të dorës” në shpenzimin e buxhetit qendror, veçanërisht nga rezerva shtetërore.

Janë mbi një mijë organizata jo-qeveritare (OJQ) që kanë fituar grante nga buxheti i Kosovës për vitin 2018.

Zyra e Kryeministrit thotë se numri i OJQ-ve që kanë përfituar grante është rritur për 200 organizata. “Gjatë vitit 2018 vërehet një rritje e numrit të përgjithshëm të OJQ-ve që kanë përfituar mbështetje financiare publike nga organizatat buxhetore si në nivel të komunave ashtu edhe në nivel të ministrive, agjencive dhe institucioneve të pavarura. Në vitin 2018 në nivel të ministrive kanë pranuar mbështetje financiare 793 OJQ, ndërsa në vitin 2017 mbështetje financiare kishin pranuar rreth 594 OJQ përfituese. Këto të dhëna tregojnë se në vitin 2018 në nivel të ministrive kemi rritje të numrit të OJQ-ve përfituese të mbështetjes financiare publike me rreth 200 OJQ, krahasuar me vitin 2017. E njëjta rritje e financimit por edhe numri i OJQ-ve përfituese shfaqet edhe në nivel të komunave. Në nivel të komunave numri i OJQ-ve përfituese është më i lartë se sa në nivel të ministrive. Gjatë vitit 2018 nga buxheti i të gjitha komunave kanë përfituar gjithsej 1,023 OJQ për dallim nga viti 2017 sa ishin 813 OJQ”, thuhet në raport.

Po ashtu, raporti thekson se rreth 300 OJQ kanë përfituar nga më shumë se një organizatë buxhetore. “Të dhëna të paraqitura paraqesin çdo formë të mbështetjes financiare e cila ka shkuar për furnitorët të cilët në Thesar janë të regjistruar si organizata jo-qeveritare. Ky numër përbën numrin e OJQ-ve që kanë pranuar mjete nga organizatat buxhetore. Megjithatë të njëjtat organizata kanë përfituar shpesh nga më shumë se një organizatë buxhetore. Ky dallim nga numri i mësipërm është rreth 150 OJQ në nivel qendror dhe rreth 150 OJQ në nivel lokal të cilat kanë përfituar më shumë se sa nga një organizatë buxhetore. Në kuadër të agjencive tjera, të cilat kryesisht i raportojnë Kuvendit, kemi po ashtu një rritje të numrit të OJQ-ve që kanë përfituar nga mbështetja financiare publike. Në vitin 2018 kanë pranuar mbështetje financiare publike 46 OJQ krahasuar me 18 OJQ përfitues sa ishin në vitin 2017”, vijon raporti i Zyrës së Kryeministrit, shkruan “Telegrafi”.

Për sa i përket nivelit qendror të financimit të granteve del se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka ndarë më së shumti fonde në vlerë rreth 4.5 milionë euro, nga e cila kanë përfituar 528 OJQ.

“Institucionet që më së shumti kanë përkrahur projektet e OJQ-ve janë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Komuniteteve dhe Kthimit, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Ministria e Arsimit. Nga mbështetja financiare publike për OJQ-të, e ofruar në nivel të ministrive, për vitin 2018 kanë përfituar mbështetje financiare 793 OJQ. Shumica e OJQ-ve që kanë përfituar mbështetje financiare në vitin 2018, kanë pranuar mbështetje edhe në vitet paraprake”, thuhet në raport.

Ndërsa, për sa i përket nivelit të mbështetjes së OJQ-ve në kuadër të komunave, në raport thuhet se janë ndarë grante rreth 8.5 milionë euro. “Të dhënat tregojnë se në vitin 2018 janë transferuar gjithsej 8,490,563 euro në llogaritë e organizatave jo-qeveritare nga ana e komunave. Nëse bëjmë një krahasim të shumës së financimit publik për projektet e OJQ-ve nga komunat në vitin 2018 me ato të vitit 2017, vërehet rritje e financimit të organizatave jo-qeveritare në nivelin komunal me rreth 2.4 milionë euro në vitin 2018”, përfundon raporti.
Ndryshe, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në muajin qershor 2019, kishte shpalosur disa fakte për abuzime me subvencione nga Zyra e Kryeministrit të nxjerra nga Raporti i Auditorit për vitin 2018.

“Janë ndarë 815 mijë euro për një OJQ në kundërshtim me Rregulloren 04/2017, e cila rregullore i përcakton procedurat dhe kriteret për ndarjen e subvencioneve për OJQ. Për këtë OJQ janë bërë pagesa prej 806 mijë euro pa raporte përkatëse për punët e kryera. Auditori konstaton se për shkak të mungesës së raporteve, nuk mund të konstatojë për rregullsinë e këtyre pagesave”, kishte shkruar Hoti. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Roger Federer ka mbetur shumë i zhgënjyer nga humbja e…