Rreth 300 persona të prekur me virusin e ri në Kinë

21 janar 2020 | 15:48

Së paku 291 njerëz janë infektuar me një virus të ri në Kinë, ndërsa gjashtë kanë vdekur, kanë bërë me dije autoritetet në Pekin.

Shtatëdhjeteshtatë raste të reja janë identifikuar vetëm të hënën, ka theksuar Komisioni Kombëtar i Shëndetit.

Virusi i ri, i cili është shfaqur për herë të parë në qytetin Vuhan të Kinës në muajin dhjetor është identifikuar si një lloj koronavirusi.

Koronaviruset janë një familje e gjerë e viruseve, por vetëm gjashtë prej tyre dihet se i infektojnë njerëzit.

Autoritetet besojnë se shpërthimi i koronavirusit të ri mund të jetë përhapur në 14 provinca kineze, ashtu si edhe në Tajvan, Filipine, Japoni, Kore të Jugut, Tajlandë dhe Australi.

Vlerësimet e para të shkencëtarëve janë se virusi mund të merret vetëm nga kafshët, por nuk është përjashtuar as mundësia e transmetimit nga njeriu në njeri.

Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se do të shqyrtojë të mërkurën shpalljen e një urgjence ndërkombëtare të shëndetit publik, për shkak të virusit.

Virusi mund të shkaktojë sëmundje nga ftohja e zakonshme deri te Sars-i.

Sars – sindromë e rëndë akute e frymëmarrjes, ka shkaktuar vdekjen e mbi 700 njerëzve në botë gjatë shpërthimit të tij më 2002-2003.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trepça ’89 e ka fituar edhe miqësoren e dytë në…