
Rreth 4 milionë euro për gjashtë muaj për Kuvendin jofunksional
Kuvendi i Kosovës, ndonëse nuk ka qenë funksional gjatë vitit 2025, fillimisht për shkak të pezullimit të punës gjatë fushatës zgjedhore, e më pas si shkak i ngërçit politik në vend, ka shpenzuar 3 milionë e 905 mijë e 25 euro e 73 centë, për gjashtë muajt e parë të këtij viti.
KALLXO.com ka siguruar përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, raportin e shpenzimeve për gjashtë muajt e parë të këtij viti, të institucionit më të lartë në vend ku shihet që shpenzimet arrijnë në miliona euro.
Kuvendi nuk ka arritur të funksionalizohet, anipse kryetari i ri i këtij institucioni, Dimal Basha, e shpalli të konstituuar. Megjithatë, këtë vit nuk ka pasur as mbledhje të Kryesisë në mungesë të një verdikti që vendosë njëherë e mirë se Kuvendi është plotësisht i konstituuar.
Aktualisht, Kuvendi i Kosovës, pos deputetëve dhe administratës i ka edhe kryeparlamentarin dhe katër nënkryetarë, por jo edhe të pestin- nga radhët e komunitetit serb- për të cilin veçse është bllokuar puna.
Për pagat e 120 deputetëve për gjashtë muaj, nga arka e shtetit u shpenzuan 1 milion e 631 mijë e 903 euro e 66 centë. Kurse, shpenzimet gjithsej për deputetët mbërrijnë në vlerën prej 1 milion e 685 mijë e 407 euro e 77 centë.
Përveç për paga, para nga arka e shtetit u harxhuan për transport të udhëtimeve jashtë vendit. Për shpenzimet në udhëtim, deputetët për transport harxhuan 10 mijë e 397 euro e 70 centë; për shpenzime gjatë udhëtimit 2 mijë e 814 euro e 80 centë; si dhe për akomodim 2 mijë e 514 euro e 86 centë.
Shpenzimet e telefonisë për deputetët arrijnë shumën prej 7 mijë e 506 euro e 1 cent. Teksa tek për shërbimet tjera e që shumica janë pagesa për pasaporta diplomatike, shuma shkon në 680 euro.
Ndërkaq, 1 mijë e 500 euro u shpenzuan për akomodimin e delegacioneve të huaja. Për dreka zyrtare u shpenzuan 25 mijë e 798 euro e 80 centë.
Kompensim për përfaqësim jashtë vendit pati prej 285 eurove.
Sa para shkuan për punonjësit e administratës së Kuvendit?
Për punën e administratës së Kuvendit të Kosovës, totali i shpenzimeve arrin shumën prej 1 milion e 557 mijë e 630 euro e 25 centë.
Në paga për punonjësit administratës së Kuvendit u shpenzuan 1 milion e 66 mijë e 40 euro e 27 centë.
2 mijë e 253 euro e 80 centë u shpenzuan për administratën për udhëtime brenda vendit, kurse për udhëtim zyrtar jashtë vendit u shpenzuan 4 mijë e 88 euro e 71 centë.
Shpenzime gjatë udhëtimit zyrtar, administrata shpenzoi 5 mijë e 992 euro e 52 centë, teksa për akomodim 2 mijë e 986 euro e 32 centë. Administrata si shpenzime tjera gjatë udhëtimit zyrtar, ka harxhuar 405 euro e 38 centë.
Harxhime shkuan edhe në mirëmbajtjen e objektit të Kuvendit.
Për energji elektrike, Kuvendi shpenzoi në vlerën prej 24 mijë e 213 euro e 87 centë; për ujësjellës dhe kanalizim 2 mijë e 960 euro e 16 centë; për mbeturina 1 mijë e 870 euro e 50 centë si dhe për ngrohje qendrore 49 mijë e 147 euro e 60 centë.
Shpenzimet e telefonisë fikse u shpenzuan 2 mijë e 583 euro e 96 centë, për telefoni mobile 7 mijë e 896 euro e 66 centë.
Gjatë kësaj periudhe, Kuvendi shpenzoi edhe për shërbime këshillëdhënëse e profesionale, në vlerë prej 1 mijë e 180 euro e 33 centë.
Për shërbime kontraktuese tjera u shpenzuan 5 mijë e 980 euro e 34 centë, kurse për pajisje të teknologjisë informative 12 mijë e 947 euro e 68 centë.
Si furnizim për zyre u shpenzuan 9 mijë e 922 euro e 54 centë kurse për furnizim me ushqim dhe pije u hargjuan 1 mijë e 215 euro.
Karburante për vetura Kuvendi bleu në vlerë prej 13 mijë e 908 euro e 88 centë, teksa për automjete u paguan 425 euro për t’i regjistruar dhe 2 mijë e 12 euro e 70 centë për t’i siguruar e 50 euro taksë komunale për regjistrim të automjetit.
Mirëmbajtja dhe riparimi i automjeteve i kushtoi Kuvendit 16 mijë e 40 euro e 78 centë kurse mirëmbajtja e ndërtesave 101 mijë e 426 euro e 35 centë.
Për mirëmbajtje të teknologjisë informative u shpenzuan 5 mijë e 102 euro e 60 centë e për mirëmbajtje të mobileve dhe pajisjeve 5 mijë e 834 euro e 90 centë.
270 euro e 90 centë u shpenzuan për reklama dhe konkurse.
Kuvendi shpenzoi 792 euro e 50 centë për shërbime të bufesë si dhe bleu gjashtë vetura në vlerë prej 209 mijë e 580 eurove.