Rrethimi osman i Maltës i vitit 1565, si pikë kthese për Evropën

22 qershor 2022 | 08:29

Rrethimi i Maltës ishte një nga betejat më të rëndësishme në historinë evropiane. Rrethimi i Madh, siç quhet ndonjëherë, ndodhi në vitin 1565 kur Perandoria Osmane pushtoi ishullin, që në atë kohë kontrollohej nga Kalorësit e Mikpritjes ose Kalorësit e Maltës. Ishte fundi i një rivaliteti të gjatë midis një aleance të krishterë dhe Perandorisë Osmane e cila luftonte për të vënë nën kontroll të gjithë rajonin e Mesdheut. Turgut Reis, admiral i ushtrisë osmane dhe Kalorësit e Maltës kishin qenë prej kohësh armiq. Pozicioni i ishullit pranë qendrës së Detit Mesdhe, e bëri atë objektiv kryesor për Perandorinë Osmane. Nëse osmanët do të mundnin të pushtonin me sukses Maltën, kjo do ta bënte më të lehtë për ta që të merrnin nën kontroll vendet e tjera evropiane përreth ishullit.

Në vitin 1551, Turgut Reisi dhe Sinan Pasha, një tjetër admiral osman, pushtuan Maltën për herë të parë. Por, pushtimi rezultoi i pasuksesshëm, ndaj ata u detyruan të zhvendosen në ishullin e afërt Gozo. Pas këtyre ngjarjeve, ishulli i Maltës priste një tjetër sulm të menjëhershëm nga Perandoria Osmane.

Ndaj, Mjeshtri i Madh, Juan de Homedes, urdhëroi forcimin fortesën Shën Angeli në ishull, si dhe ndërtimin e dy fortesave të reja, Shën Mikel dhe Shën Elmo. Vitet në vijim në Maltë ishin relativisht pa ngjarje, por betejat e vazhdueshme mbi kontrollin e Mesdheut vazhduan.

Në orët e para të 18 majit 1565, një pushtim, që më vonë hyri në histori si Rrethimi i Maltës, nisi kur një flotë anijesh osmane mbërriti në ishull dhe u ankorua në portin Marsakslok. Barra e mbrojtjes së ishullit ra mbi Kalorësit e Maltës, të udhëhequr nga Jean Parisot de Valette. Mendohet se Kalorësit kishin vetëm 6.100 anëtarë (rreth 500 kalorës dhe 5.600 ushtarë të tjerë të rekrutuar kryesisht nga popullsia malteze dhe ushtritë e tjera nga Spanja dhe Greqia), krahasuar me 48 mijë trupat e ushtrisë osmane.

Kur banorët e tjerë të ishullit panë trupat armike, u strehuan në qytetet e fortikuara si Birgu, Isla dhe Mdina. Vendi i parë që u sulmua ishte fortesa Shën Elmo, të cilin pushtuesit turq mendonin se ishte një objektiv i lehtë, pasi kishte më pak mbrojtje.

Por, pavarësisht kësaj, u deshën më shumë se katër javë për ta pushtuar fortesën, dhe gjatë kësaj përpjekje u vranë mijëra ushtarë turq. Të padekurajuar, turqit vazhduan ta sulmojnë ishullin dhe filluan sulmet mbi Birgu dhe Isla. Por, çdo herë ata hasën një rezistencë të një niveli shumë më të madh nga sa e prisnin.

Rrethimi zgjati për më shumë se katër muaj në kushtet e vapës së tmerrshme që e karakterizon stinën e verës në Maltë. Vlerësohet se ushtria osmane humbi rreth 10 mijë njerëz gjatë rrethimit. Ndërkohë, u vra rreth një e treta e popullsisë malteze dhe 500 kalorësit maltezë.

Por, sado e pamundur që duket për shkak të çekuilibrit në fuqinë e secilës palë, Perandoria Osmane u mund dhe Malta fitoi. Ajo betejë mbetet një nga ngjarjet më të famshme në histori dhe shënoi një epokë të re të dominimit spanjoll në Mesdhe. /Përgatiti: Bota.al/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bisedë e gazetarit Dave Simpson me rokerin Arthur Brown /…