Rrezik për paga, Sindikata e RTK-së kërkon që Kuvendi ta alokojë buxhetin
Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) ka kërkuar nga Kuvendi ta alokojë buxhetin për televizionin e vetëm publik, në mënyrë që të shmanget përsëritja e situatës së muajit gusht, kur punëtorët patën mbetur pa paga në muajin gusht.
“SPERTK ka bërë kërkesë zyrtare në adresë të Bordit dhe Menaxhmentit të RTK-së në fillim të muajit tetor lidhur me pagesat e punëtorëve, por deri më sot nuk ka marrë asnjë përgjigje. Prandaj, kërkojmë publikisht transparencë dhe njoftim të qartë për gjendjen e pagave. Sindikata nuk paragjykon asnjë situatë lidhur me buxhetin, por kërkon përgjegjësi dhe transparencë për këtë çështje, pasi paga është e drejtë ligjore dhe kërkesë legjitime për punën që kanë kryer të gjithë punonjësit e RTK-së”, është thënë në reagimin e SPERTK-ut.
Reagimi i plotë:
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Republikës së Kosovës,
Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) kërkon urgjentisht që Kuvendi i sapo konstituar të ndërhyjë për të siguruar alokimin e buxhetit për RTK-në, në mënyrë që të shmanget përsëritja e situatës së muajit gusht, kur punëtorët mbetën pa paga dhe funksionimi i transmetuesit publik u rrezikua.
SPERTK ka bërë kërkesë zyrtare në adresë të Bordit dhe Menaxhmentit të RTK-së në fillim të muajit tetor lidhur me pagesat e punëtorëve, por deri më sot nuk ka marrë asnjë përgjigje. Prandaj, kërkojmë publikisht transparencë dhe njoftim të qartë për gjendjen e pagave.
Sindikata nuk paragjykon asnjë situatë lidhur me buxhetin, por kërkon përgjegjësi dhe transparencë për këtë çështje, pasi paga është e drejtë ligjore dhe kërkesë legjitime për punën që kanë kryer të gjithë punonjësit e RTK-së.
Aktualisht RTK gjendet në procese të rëndësishme programore dhe zhvillimore, ndërsa mungesa e buxhetit rrezikon seriozisht vazhdimin e këtyre projekteve dhe stabilitetin e institucionit publik.
SPERTK kërkon nga Kuvendi të veprojë menjëherë për:
• Alokimin e buxhetit 2025 për RTK-në, për të shmangur çdo vonesë në paga;
• Kompletimin urgjent të Bordit të RTK-së, për të mundësuar funksionimin me kuorum të plotë;
• Rritjen e buxhetit për vitin 2026, për zhvillim institucional dhe programe cilësore sipas standardeve evropiane.
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së do të dalë shumë shpejt me qëndrime dhe veprime ligjore, nëse mungesa e përgjegjësisë institucionale vazhdon dhe punëtorët mbeten pa trajtim të dinjitetshëm financiar.
Kërkojmë ndërhyrje urgjente të Kuvendit për të garantuar stabilitet financiar, funksionalitet institucional dhe mbrojtje të të drejtave të punëtorëve të RTK-së.
Me respekt,
Kryesia e Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së (SPERTK)



