Rreziku për luftë në Ballkan, Kosova më pak e shqetësuar se vendet fqinje

09 shkurt 2026 | 08:34

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të shfaqin nivelin më të ulët të shqetësimit në Ballkanin Perëndimor lidhur me mundësinë e një lufte apo sulmi terrorist, sipas të dhënave të “SecuriMeter 2025”, raport i hartuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC).

Sipas këtij raporti në vitet 2024 dhe 2025, një shumicë e madhe e qytetarëve të Kosovës kanë deklaruar shqetësim të ulët për një konflikt të mundshëm mes vendeve të rajonit, me 69.5% në vitin 2024 dhe 72.5% në vitin 2025.

Edhe sa i përket rrezikut të sulmeve terroriste, Kosova rezulton vendi me nivelin më të ulët të shqetësimit në rajon. Rreth 70% e qytetarëve shprehin shqetësim të ulët si në vitin 2024 ashtu edhe në vitin 2025, ndërsa vetëm rreth 27% raportojnë shqetësim të lartë, çka sugjeron se ky kërcënim perceptohet si i kufizuar.

Në nivel rajonal Bosnja dhe Hercegovina shfaq nivelin më të lartë të shqetësimit për një luftë të mundshme në rajon.

Në të dy vitet, mbi gjysma e qytetarëve kanë deklaruar shqetësim të lartë, edhe pse me një rënie të lehtë nga 57.8% në 54.2%. Edhe Serbia mbetet ndër vendet ku shqetësimi për konflikt është dominues, me mbi 53% të qytetarëve që shprehin shqetësim të lartë, transmeton Telegrafi.

Ndërkohë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, tregojnë një zhvendosje drejt një perceptimi më pozitiv të sigurisë. Në Shqipëri, shqetësimi i lartë për luftë ka rënë ndjeshëm në vitin 2025, ndërsa në Maqedoninë e Veriut shqetësimi i ulët është rritur mbi 50%, duke sinjalizuar rritje të besimit në stabilitetin rajonal.

Mali i Zi paraqet një tablo më të balancuar, me qytetarë pothuajse të ndarë mes shqetësimit të ulët dhe atij të lartë.

Sa i përket kërcënimit nga terrorizmi, raporti “SecuriMeter 2025” evidenton se Serbia është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor ku shqetësimi i lartë për sulme terroriste është bërë dominues në vitin 2025. Në vendet e tjera të rajonit, përfshirë Kosovën, ky shqetësim mbetet më i ulët dhe relativisht i qëndrueshëm.

Në këtë panoramë rajonale të pasigurisë së përzier, Kosova veçohet si vendi me perceptimin më të qëndrueshëm dhe optimist për sigurinë, si në aspektin e konfliktit të mundshëm ashtu edhe të kërcënimeve terroriste.

Duhet theksuar se ky raport ka përfshirë 6,007 të anketuar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, i realizuar nga 30 maji deri më 18 qershor 2025.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet iraniane kanë arrestuar katër persona me akuzën e përpjekjes…