Rrëzimi i mocionit ndaj liderëve të UÇK-së, Gucati: Ata s’mërziten, janë të bindur se do të dalin fitimtarë

18 korrik 2025 | 14:24

Më 16 korrik, Gjykata Speciale në Hagë ka refuzuar plotësisht mocionin e mbrojtjes që kërkonte heqjen e disa fakteve materiale nga aktakuzave ndaj liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Për këtë çështje, ka folur të premten kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili ka përcjell nga afër këtë proces dhe aktualisht gjendet në Hagë.

Gucati ka kërkuar që mos t’i besohet Gjykatës Speciale, e cila sipas tij është e njëanshme dhe politike. “Ne kemi thënë me kohë se kësaj gjykate nuk duhet t’i besohet. Kjo gjykatë është e njëanshme, është një gjykatë politike dhe na ka befasuar të gjithëve me vendimin brutal e që e mori shumë shpejt, me një pauzë shtatë-tetë minutëshe, ku pastaj hynë në sallë dhe e hodhën poshtë mocionin e mbrojtjes së Thaçit dhe të tjerëve. Ne nuk jemi ndjerë mirë. Po them sinqerisht se ne jemi pa zot shtëpie, jemi si jetim në njëfarë forme sepse institucionet tona nuk janë duke u interesuar sa duhet për ata shokë që i kemi në burg, për ata bashkëluftëtarë apo qytetarë, apo burra të shtetit”, ka thënë Gucati për “Klan Kosovën”.

Më tutje,  Gucati ka shprehur bindjen e tij se të gjithë ata që janë në proces gjyqësor në Hagë do të dalin fitimtarë.

Gucati ka theksuar se nuk ka gjasa që bashkëluftëtarët e tij të dënohen për krime lufte. “Ata ndihen shumë mirë. Ata nuk mërzitën fare. Ata thonë se mund të na dënojnë se e kanë fuqinë. Padrejtësia mundet me ndodh nëse do gjykata mundet me i dënuar politikisht, por për krime lufte asnjëherë. Ata madje shprehen të bindur se do të dalin fitimtarë”, ka thënë Gucati.

Kujtojmë se në maj të vitit 2022, Hysni Gucati së bashku me zëvendësin e tij në OVLUÇK, Nasim Haradinaj ishin dënuar me katër vjet e gjysmë burgim për akuzat për pengim të drejtësisë, derisa më 17 tetor 2023, Specialja kishte modifikuar dënimin ndaj Gucatit, duke i mundësuar atij lirimin nga burgu, nën disa kushte.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për dy ditë me radhë Sheshi “Ibrahim Rugova” do të…