
Rrëzohet një fëmijë nga shkallët e një klinike në QKUK, merr lëndime trupore
19 korrik 2021
| 13:35
Një fëmijë është lënduar pasi është rrëzuar nga shkallët e një klinike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë në rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, i cili ka sqaruar se fëmija kishte qenë me prindin e tij në vizitë te një familjar.
“Rreth orës 11:30 është pranuar informata se një fëmijë është rrëzuar nga shkallët e një klinike në QKUK dhe i njëjti ka marrë lëndime trupore. Në kohën e rrëzimit fëmija nuk ka qenë i shtrirë në klinikë, por ka qenë me prindin e tij në vizitë të një familjari”, ka thënë ai për “KK”.
Borovci ka theksuar se aktualisht fëmijës është duke iu ofruar trajtimi i nevojshëm mjekësor në klinikën përkatëse, përderisa janë duke u trajtuar rrethanat e ngjarjes.