
RrGK fillon fushatën “Voto për më shumë gra në zgjedhje lokale”
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka filluar fushatën “Voto për më shumë gra në zgjedhjet lokale”. RrGK-ja ka njoftuar se rreth 80 vullnetarë nga e hëna në të premten (11-15 tetor) do të shkojnë çdoderë për të diskutuar me gratë dhe burrat mbi rëndësinë e votimit të më shumë grave në zgjedhjet që do të mbahen më 17 tetor.
“Rreth 80 vullnetarë për pesë ditë (11-15 tetor) do të bisedojnë me qytetarë duke shkuar derë më derë në 21 komuna të Kosovës për të diskutuar me gratë dhe burrat votues mbi rëndësinë e votimit të më shumë grave në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor 2021. Ligji për Barazi Gjinore (LBGj) garanton përfaqësim të barabartë gjinor në të gjitha fushat, përfshirë atë politike. Mirëpo, në kundërshtim me këtë ligj, deri më sot, as partitë politike e as komunat nuk kanë siguruar pjesëmarrje të barabartë të grave dhe burrave në sferën publike. Prandaj, na mbetet neve si qytetarë ta arrijmë barazinë”, thuhet në komunikatën e RrGK-së.
Më tutje, RrGK-ja i ka inkurajuar qytetarët që të votojnë për gratë duke theksuar se ato të përfaqësojnë më së miri interesat e tyre në komuna. “RrGK inkurajon të gjithë qytetarët që të votojnë për gratë të cilat do të përfaqësojnë më së miri interesat e tyre në komuna dhe në kuvende komunale si dhe do të përpiqen për arritjen e barazisë gjinore”, është thënë në komunikatën e RrGK-së.