Rriten çmimet e naftës pas zvogëlimit të sasisë së prodhimit

05 qershor 2023 | 10:40

Çmimet e naftës kanë shënuar rritje të hënën, pasi Arabia Saudite ka thënë se do të zvogëlojë për një milion fuçi në ditë, sasitë e prodhimit, përgjatë muajit korrik.

Nga 10 milionë fuçi në ditë, sa i ka prodhuar në maj, ajo tani do t’i prodhojë 9 milionë fuçi.

Pjesëtarë tjerë të grupit të shteteve që prodhojnë naftë, OPEC+, janë pajtuar për zvogëlim të prodhimit, për t’i stabilizuar çmimet.

Vendet e OPEC+ zotërojnë gati 40 për qind të naftës së papërpunuar, dhe vendimet e tyre mund të kenë ndikim të madh në çmime të naftës.

Të hënën në Azi, çmimi i naftës së papërpunuar Brent, është rritur për 2.4 për qind, dhe një fuçi është shitur për 77 dollarë.

OPEC+ ka thënë se synon që prodhimi të ulet në 1.4 milion fuçi në ditë, prej vitit 2024.

Vendimi është marrë pas një takimi shtatë-orësh, të dielën.

Çmimet e naftës janë rritur prej kur Rusia e ka nisur luftën në Ukrainë, vitin e kaluar, por tani janë në nivelet e para nisjes së konfliktit.

Organizata OPEC+ është pajtuar në tetor të vitit të kaluar, që të ulë prodhimin për 2 milionë fuçi në ditë, çka përbën 2 për qind të kërkesës globale.

Në prill të këtij viti, grupi është pajtuar edhe për shkurtesa tjera.

Mirëpo, zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, ka thënë se bisedimet e së dielës kanë çuar në “vazhdim të marrëveshjes deri në fund të vitit 2024”.

Të dielën, ministri saudit i Energjisë, Princi Abdulaziz bin Salman, ka thënë se zvogëlimi i sasisë së shtetit të tij për një milion fuçi në ditë, mund të shtyhet edhe përtej korrikut, me qëllim të stabilizimit të tregjeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga viti shkollor 2008/09 deri në vitin e kaluar 2021/22,…