Rriten nivelet e lumenjve në Kosovë
06 janar 2026
| 08:20
Reshjet e konsiderueshme të shiut që kanë rënë nga data 3 deri më 5 janar 2026 kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të niveleve dhe prurjeve të ujit në pjesën perëndimore të Kosovës, veçanërisht në pellgun e Drinit të Bardhë.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, thuhet se lumenjtë që burojnë nga Alpet Shqiptare, si Ereniku, Bistrica e Pejës, Bistrica e Deçanit dhe Lumi i Istogut, kanë shënuar rritje të theksuar të niveleve, duke rritur rrezikun për dalje nga shtrati në disa zona.
Sasitë më të mëdha të reshjeve janë regjistruar në Junik (231.5 mm), Gllogjan (151.6 mm), Kuqishtë (130.4 mm) dhe Radoniq (124.7 mm). Ndërsa, niveli i lumit Erenik në Gjakovë ka arritur në 3.4 metra, ndër më të lartët e matur gjatë kësaj periudhe.



