
Qeveria rrit shtesat për lehonat
Lehonat e punësuara dhe të papunësuara në Kosovë nga muaji i ardhshëm do të marrin shtesa me rritje, që ndahen nga Qeveria.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha gjatë mbledhjes së ekzekutivit më 5 qershor tha se rritja e shtesave është bërë me qëllim që të reflektojë rritjen e pagës minimale.
Për lehonat e papunësuara shtesa nga 170 euro do të jetë 325.9 euro neto për gjashtë muaj, ndërkaq për lehonat e punësuara, Qeveria do të ndajë shtesë me vlerë të njëjtë për tre muaj.
Lehonat e punësuara marrin vlerën e pagës minimale për tre muaj, sipas Ligjit të punës.
Sa i përket kostos për rritjen e shtesave, për pjesën e mbetur të vitit, ekzekitivi tha se duhet të alokohen 10 milionë euro shtesë.
Kurti tha se për lehonat e papunësuara, Qeveria për gjashtë muaj, duke llogaritur shtesat për fëmijë, do t’i ndihmojë ato me 2075.4 euro. Mbi 2.000 euro, sipas tij, do të ndihmohen edhe lehonat e punësuara.
Gjatë mbledhjes, anëtarët e Qeverisë në detyrë po ashtu miratuan ndarjen e mjeteve për zbatimin e pjesës së dytë të vendimit për rritjen e pagës për punonjësit e sektorit publik.
Kurti tha se nga 755 sa ishte paga mesatare, tani ajo arrin në 865, apo një rritje për 48 për qind.
Zbatimi i vendimit për paga është ndarë në dy faza. Nga janari, punonjësit e sektorit publik morën pagë me rritje për 55 euro, ndërkaq nga korriku ata do të marrin edhe 55 euro shtesë.