Rritet indeksi i përgjithshëm i inputeve në bujqësi
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Inputeve në Bujqësi për tremujorin e tretë (TM3) 2025.
Sipas këtij raporti është rritur indeksi i përgjithshëm i inputeve në bujqësi në TM3 2025, krahasuar me TM3 2024.
Ky publikim është i bazuar në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë. Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion.
Në TM3 2025, Indeksi i Input1 ka rritje për 2,3%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Kurse, Indeksi i Input 2 ka rritje për 1,2%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Indeksi i inputit të përgjithshëm (Input 1 + Input 2) ka rritje për 1,8%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Produktet që e përbëjnë bazën për Indeksin e çmimeve të inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2). Brenda grupit të Mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji; vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtja e materialeve, mirëmbajtja e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera.
Sa i përket mallrave dhe shërbimeve që kontribuojnë në investimet bujqësore, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje tjera), ndërtesat dhe të tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punët e tjera përveç përmirësimit të tokës).



