Rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, ZRRE-së i kërkohet shqyrtim i jashtëzakonshëm

09 gusht 2022 | 17:01

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar të martën se ka pranuar aplikimin për shqyrtim të jashtëzakonshëm të të hyrave të lejuara maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal (FShU).

Sipas njoftimit, FShU kërkesën e bazon në mosdisbursimin e subvencionit të zotuar nga Qeveria e Kosovës dhe situatën e krijuar në tregun e energjisë me shumicë si pasojë e rritjes enorme të çmimeve të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare. “Në aplikacionin për shqyrtim të jashtëzakonshëm, FShU thekson se është duke operuar nën kosto, pasi që kostot e FShU-së nuk janë duke u mbuluar përmes tarifave dhe subvencionit të lartpërmendur si rezultat i mosdisbursimit të subvencionit nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për medie.

Sipas FShU-së, vlera e subvencionit për periudhën 9 shkurt – 30 qershor 2022 ka tejkaluar shumën prej 32.8 milionë eurosh.

“Vetëm mungesa e mosdisbursimit të subvencionit tejkalon pragun e materialitetit prej 5-përqindësh ashtu siç parashihet në nenin 11 të Rregullës për të Hyrat e FShU-së. Rregullatori në propozimin përfundimtar për tarifat e energjisë elektrike me pakicë kishte marrë parasysh alokimin e subvencionit shtesë prej 10 milionë eurosh sipas vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 05/55 të datës 21.01.2022, si dhe vendimin nr. 01/60 të datës 05.02.2022, për subvencionimin e energjisë në vlerë prej 90 milionë eurosh. Si rezultat i këtyre vendimeve për subvencionim, tarifat me pakicë për konsumatorët jofamiljarë (biznesorë) dhe për konsumatorët familjarë me konsum mujor deri në 800 kWh, mbetën të pandryshuara. Vendimet e tilla kishin marrë në konsideratë përballueshmërinë e tarifave nga konsumatorët e rregulluar, sigurinë dhe vazhdueshmërinë e furnizimit me energji elektrike, si dhe likuiditetin financiar të ndërmarrjeve të energjisë”, theksohet në komunikatë.

ZRRE thotë se do të shqyrtojë këtë kërkesë dhe do të mbajë të njoftuar publikun në lidhje me veprimet që do të ndërmerren.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbolli i Kosovës po vazhdon të përfaqësohet në garat evropiane…