
Rritja e çmimit të rrymës rrezikon të lë pa punë 148 mijë punëtorë
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se vendimi për rritje të çmimit të energjisë elektrike mund të rrezikojë vendet e punës për mbi 148 mijë qytetarë të vendit tonë.
Në një lidhje direkte në emisionin Rubikon mbrëmë në Klan Kosova, Bajrami tha se rreth 1300 bizneset e mëdha në vend përbëjnë rreth 50% të vendeve të punës në Kosovë, ku sipas saj janë rreth 148 mijë të punësuar.
Ajo theksoi se përqeshja që i ka bërë qeveria kërkesës së deputetëve të kësaj partie, duke thënë se në fakt ajo për të cilën lobojnë ata janë 1% e kompanive në Kosovë, që janë korporata, nuk është e vërtetë, dhe se LDK-ja po mbron interesin e qytetarëve duke tentuar të parandalojë një valë të re inflacioni që mund të vijë si pasojë e rritjes së kostos së energjisë.
Sipas Bajrmit, rritja e shpenzimeve të bizneseve do të reflektohet në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, rrjedhimisht në çmime më të larta për konsumatorët.
“Duke mbrojtur këto biznese, ne mbrojmë interesin e 148 mijë familjeve”, u shpreh Bajrami.