Rritja e pagës minimale nuk bëhet me fushatë, por me dialog social dhe bazuar ne ligj
Shkruan: Skënder Reçica
Në një kohë kur vendi po përballet me paqëndrueshmëri politike dhe me mundësi reale për zgjedhje të jashtëzakonshme, krahas raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash në disa qytete, Qeveria aktuale po tenton të përdorë rritjen e pagës minimale si instrument propagandistik për përfitime elektorale. Një veprim i tillë nuk synon përmirësimin real të jetës së punëtorëve, por krijimin e një iluzioni social përmes një vendimi të njëanshëm dhe jashtë çdo kornize ligjore.
Rritja e pagës minimale nuk është vendim politik, por proces ligjor që kërkon profesionalizëm, përgjegjësi dhe respektim të plotë të procedurave të përcaktuara në Ligjin e Punës. Ky ligj përcakton qartë se Qeveria e Kosovës, në fund të çdo viti kalendarik, mund ta përcaktojë pagën minimale mbi bazën e propozimit të Këshillit Ekonomiko-Social (KES).
KES-i, si mekanizëm tripartit i dialogut social, përbëhet nga 15 anëtarë, pesë përfaqësues të qeverisë, pesë të sindikatave që mbrojnë të drejtat e punëtorëve dhe pesë përfaqësues të bizneseve. Ky është institucioni i vetëm ligjor që siguron ekuilibër mes interesave të punëtorëve dhe qëndrueshmërisë së sektorit privat.
Megjithatë, gjatë kësaj qeverisjeje, ky mekanizëm ka qenë praktikisht jofunksional, pa takime të rregullta, pa konsultime të mirëfillta dhe pa ndikim real në proceset vendimmarrëse. Në vend që të shërbejë si urë bashkëpunimi midis palëve sociale, KES-i është lënë anash, duke u zëvendësuar me vendime të njëanshme politike. Kjo ka dobësuar dialogun social dhe ka krijuar një precedent të rrezikshëm për shkeljen e parimeve të bashkëqeverisjes sociale që garantojnë drejtësi dhe qëndrueshmëri ekonomike.
Çdo vendim jashtë këtij mekanizmi përbën shkelje të ligjit dhe minon vetë parimin e dialogut social, themelin e politikave të qëndrueshme dhe të përgjegjshme ekonomike e shoqërore. Fatkeqësisht, në vend që ky dialog të forcohet, ai po anashkalohet, në vend që të respektohet ligji, ai po interpretohet sipas interesave politike të ditës.
Rritja e pagës minimale është e mirëpritur kur vjen si rezultat i konsensusit shoqëror dhe ekonomik, por bëhet e dëmshme kur përdoret si premtim elektoral pa bazë reale.
Punëtori i Kosovës meriton dinjitet, jo manipulim politik. Biznesi meriton stabilitet, jo pasiguri. Qytetari meriton qeverisje me përgjegjësi, jo spektakël politik. Prandaj, çdo vendim për rritjen e pagës minimale duhet të jetë produkt i dialogut social dhe i ligjit, e jo i fushatës elektorale. Vetëm kështu ndërtohet besimi, zhvillimi dhe drejtësia sociale që i rikthen dinjitetin punëtorit, sigurinë biznesit dhe shpresën qytetarit.



