Rritjet e pagave në Zvicër do të jenë të kufizuara në vitin 2026
Negociatat për pagat në Zvicër pritet të jenë të vështira gjatë vitit 2026, sipas një ankete të realizuar nga banka UBS me punëdhënësit zviceranë.
Sipas raportit, tarifat e larta amerikane po kufizojnë mundësitë e kompanive zvicerane për manovrim financiar, gjë që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e pagave.
Si rezultat, rritjet nominale të pagave pritet të stabilizohen rreth 1 për qind, krahasuar me 1.4 për qind në vitin 2025.
Megjithatë, disa sektorë pritet të performojnë më mirë se të tjerët. Sektori i teknologjisë së informacionit dhe telekomunikacionit (IT & Telecom) do të regjistrojë rritjen më të lartë mesatare prej rreth 1.7 për qind, ndërsa industria eksportuese, përfshirë prodhimin e orëve, do të përballet me një rritje shumë më të ulët, vetëm rreth 0.4 për qind.
Raporti i UBS nënvizon se pasiguria ekonomike globale dhe presioni i konkurrencës ndërkombëtare po e bëjnë të vështirë për bizneset zvicerane të ruajnë ritmin e rritjes së pagave që kanë pasur në vitet e fundit. /Albinfo.ch



