
Rrjeti i Grave të Kosovës i reagon Vjosa Osmanit, kundërshton shkarkimin e Valdete Dakës
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) u është bashkuar organizatave tjera të shoqërisë civile që kanë kundërshtuar vendimin që të hënën ka marrë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmni për shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita që mbante tash e sa vite në krye të KQZ-së.
“Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes këtij reagimi bashkohet me organizatat e tjera të shoqërisë civile për ta kundërshtuar vendimin e djeshëm të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu për shkarkimin e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka”.
“Arsyet e dhëna për shkarkimin e Dakës nuk qëndrojnë, e për më tepër mveshin atë me disa përgjegjësi që nuk janë të sajat, apo vetëm të sajat. KQZ-ja është organ i pavarur kushtetues dhe kryetarja Daka është vetëm një nga njëmbëdhjetë anëtarët me të drejtë vote. Ndër arsyet e shkarkimit figurojnë edhe shkelja e të dhënave personale, si dhe problemet me listat e votuesve. Asnjëra nga këto të dyja nuk bien nën përgjegjësinë e kryetares së KQZ-së, njëra është në fushëveprimtarinë e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, kurse tjetra është përgjegjësi e Agjencionit për Regjistrim Civil në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Po ashtu, sjellim ndërmend se ky vendim i Presidentes Osmani vie në prag të shpalljes së datës së zgjedhjeve lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti, dhe përveç që konsiderohet ndikim në punën e pavarur të KQZ-së, mund edhe të ndikojë në organizimin e mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve”, është thënë në reagimin e RrGK-së.
RrGK –ja ka bërë thirrje që ky proces të zhvillohej brenda rregullave kushtetuese, frymës demokratike dhe çdo mospajtim të adresohej përmes rrugëve institucionale.
“Këtë thirrje po e përsërisim edhe sot, dhe atë jo vetëm për partitë politike, por për çdo figurë institucionale që mbi supe bart përgjegjësinë e përfaqësimit të unitetit të popullit, siç është roli i presidentes së Kosovës. Gjersa jemi dëshmitarë të fuqizimit politik të grave në shoqërinë kosovare, RrGK do të vazhdojë përpjekjet e kamotshme drejt rritjes së pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje, si dhe do të kërkojë llogaridhënie për vendimet që prekin themelet demokratike mbi të cilat jemi duke e ndërtuar shoqërinë e shtetin tonë”, është thënë në reagimin e tyre.