Rrjeti i Shitësve me Pakicë: Tarifat e larta bankare pengesë për bizneset

08 dhjetor 16:26

Rrjeti i Shitësve me Pakicë me anë të njoftimi ka reaguar lidhur me tarifat e larta bankare, të cilat sipas tyre janë pengesë për punën e bizneseve.

Sipas tyre, këtë problematik duhet ta trajtoj Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

“Në Kosovë vazhdohet të ketë pengesa esenciale në transaksionet e pagesave me kartë si rezultat i tarifave të larta të përcaktuara nga bankat komerciale ndaj bizneseve të tregtisë me pakicë. Në këtë drejtim, Rrjeti i Shitësve me Pakicë konsideron se operimi i Bankës Qendrore të Kosovës, si institucioni kryesor për garantimin e funksionimit të sistemit financiar, me një Bord ende të pakompletuar dhe në pamundësi vendimmarrjeje për një periudhë të gjatë, ka cenuar zbatimin e një sërë procesesh të rëndësishme për ekonominë e vendit”, thuhet në reagimin e Rrjetit të Shitësve me Pakicë.

Ky rrjet, thotë se kostot e larta me të cilat ballafaqohen bizneset për transaksione përmes kartelave bankare, po minojnë komunitetin për të inkurajuar kryerjen e pagesave përmes këtij shërbimi.

“Ne vlerësojmë se përafrimi i vazhdueshëm i kornizës rregullative të BQK-së me aktet rregullative të BE-së sidomos në drejtim të sistemit të pagesave është themelor në aspekt të zhvillimit të sistemit financiar duke pasur në fokus sektorin privat, dhe se në këtë drejtim zhvillimet kanë qenë të mangëta. Vlen të ceket që pagesat me kartelë padyshim që rrisin volumin e shitjeve, kursejnë para dhe kohë, ofrojnë siguri, rrjedhimisht janë mënyrë komode dhe tërheqëse edhe për klientin pavarësisht llojit të kartelës. Megjithatë, kostot e larta me të cilat ballafaqohen bizneset për transaksione përmes kartelave bankare, në mungesë të një rregulloreje e cila vendos kriteret dhe përcakton kushtet për bankat komerciale, ashtu siç është e rregulluar në vendet e Bashkimit Evropian, minojnë në mënyrë të vazhdueshme çdo përpjekje të BQK-së dhe bizneseve për të inkurajuar transaksionet përmes kartelave bankare”, vijon reagimi.

Në fund, Rrjeti i Shitësve me Pakicë shprehet se pret nga Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës të trajtojë kërkesat e komunitetit e biznesit dhe “të shpreh gatishmërinë për të ndihmuar në çfarëdo lloj procesi me qëllim zhvillimin e mëtutjeshëm të sistemit financiar në vend”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njohësi i zhvillimeve politike, Agon Maliqi, redaktor dhe bashkëthemelues i…