Rroftë demokracia, poshtë komunizmi

25 korrik 2025 | 13:09

Shkruan: Ganimete Musliu

Demokracia nuk është dhuratë, ajo duhet të mbrohet me vigjilencë, të ushqehet me të vërtetën dhe të rigjallërohet nga çdo brez.
Nëse nuk arrijmë të ngrihemi tani, rrezikojmë të zgjohemi nesër në një botë ku votimi është një ritual pa vlerë, ku mospajtimi etiketohet si ekstremizëm dhe ku heshtja nënshtruese ngatërrohen me paqen.
Le të mos jemi brezi që harroi se si të kujdesej për vete. Le të mos jemi brezi që ju nënshtrua një demagogu me kauza boshe. Një personi të dyshimtë në fjalë dhe në vepra.
Si mund të heshtim? Kur themelet e demokracisë po shkatërrohen jo nga forca brutale, por nga indiferenca, shpërqendrimi dhe dorëzimi para një grupi me energji jashtëzakonisht antishtetërore dhe antikombëtare.
Ne që dikur qëndronim sypatrembur përballë çdo tirani, tani po gjunjëzohemi para një grupi matrapazësh politik që për pushtet personal e kallin shtetin e fituar me gjak.
Demokracia jonë, edhe pse siç po shihet ende shumë e brishtë, lindi nga lufta, nga zërat e bashkuar që u ngritën për të, nga duart që ndërtojnë institucione, jo nga duar që shkatërrojnë institucione, nga ata që synojnë t’u shërbejnë shumë njerëzve, jo pak njerëzve.
Ne duhet të revoltohemi, sepse të heshtim përballë erozionit shoqëror është bashkëfajësi.
Sa herë që e largojmë vëmendjen nga veprimet arbitrare të pushtetmbajtësve, ne braktisim trashëgiminë e shumë brezave që luftuan për lirinë dhe të drejtat tona.
Indinjata nuk është dobësi, është një kushtrim për jetën.
Le të na shtyjë në veprim, në rezistencë, në ringjalljen e idesë se qytetaria do të thotë më shumë sesa konsum dhe bindje.
Bota asnjëherë nuk ka shkuar përpara përmes dorëzimit;
Bota përparon kur njerëzit thonë: Kjo nuk është e pranueshme. Unë nuk do të qëndroj indiferent.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa ndaj një kundërvajtësi në…