Rruga Deçan-Plavë, komandanti i KFOR-it viziton Deçanin

15 gusht 2020 | 19:58

Situata e përgjithshme në zonën e veçantë të mbrojtur të Deçanit ka qenë temë diskutimi mes komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, Michele Risi dhe kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Për këtë temë Risi po ashtu është takuar edhe me Peshkopin Sava Janjiq në Manastirin e Deçanit.

Siç njofton misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, Risi ka vizituar të shtunën zonën e veçantë të mbrojtur të Deçanit, e cila përfshin Manastirin ortodoks serb të Deçanit, zonën religjioze të mbrojtur nga KFOR-i, i cili vepron si reaguesi i parë i sigurisë.

“Në të dy takimet u diskutua për situatën e përgjithshme në zonë, duke marrë parasysh ndikimin e veçantë në siguri të punimeve në rrugën R108 që shtrihet në afërsi të Manastirit të Deçanit”, thuhet në një njoftim.

“Gjeneral Majori Risi riafirmoi angazhimin e paanshëm të KFOR-it për të vazhduar të kontribuojë në një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, bëhet me dije në njoftimin për media.

Të shtunën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se Beogradi do të kërkojë “pezullim urgjent dhe të përhershëm të punimeve të ndërtimit në zonën e mbrojtur të Manastirit të Deçanit” nga përfaqësuesit e Prishtinës dhe ndërmjetësit evropianë në takimin e ardhshëm në Bruksel.

Në një njoftim nga zyra e Presidentit të Serbisë thuhej se me këto punime po “rrezikohet njëra nga faltoret më të mëdha serbe e krishtere”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është caktuar paraburgim ndaj dy personave që sulmuan dy policë…