“Rruga e kthimit…”, libër i këndshëm
Shkruan: Blerim Rrecaj
Kur merr dhuratë një libër, siç mora këtë “Rruga e kthimit dhe tregime të tjera” nga autori Alban Hajrushi, të gëzon. Është ndjenjë e bukur. Kjo ndjenjë bëhet edhe më e bukur kur fillon leximin, e kur që me leximin e tregimit të parë vëren se gjuha, stili, arti i të rrëfyerit të zgjon ndjenja të bukura. Pastaj kjo mënyrë mjeshtërie e të rrëfyerit vazhdon nga tregimi në tregim.
Ndonëse tregimet janë të shkurtra e anojnë kah proza poetike, ato janë gdhendur e stolisur me fraza e shprehje që paraqesin ambiente e mjedise, a më mirë të themi përshfaqin një “skenografi jete” me një, dy a më shumë personazhe, që mbartin histori ku më të dukshme e ku më të fshehura për sytë e botës, e të krijohet përshtypja se je duke lexuar tregime më të gjata e më me shumë faqe sesa që janë në të vërtetë, pasi që pas leximit të vënë në lëvizje mendjen e imagjinatën.
Forca e bukuria e fjalës dhe stili i të rrëfyerit me butësi e thjeshtësi të admirueshme sikur një puhi na bënë të shijojmë një gjuhë poetike e melodioze e harmonike, larg zhurmave e fjalëve të mëdha, larg asaj me fol sa për të thënë diçka, që herë duket më shqetësuese e herë më melankolike por e çlirët, e dëlirë, e sinqertë e joimponuese.
Temat që trajtohen në këto tregime janë të larmishme, si një tufë me shqetësime të kohës që po kalojmë, si bukuria shpirtërore para asaj fizike, themeli para fasadës, braktisja e vendit, e të afërmve, ngjarjet e rënda nga hasmëritë, depresioni e aksidentet, rropatjet për gjetjen e një shtegu, udhe e strehe, për diç ku shfaqet shqetësimi kur pësojmë nga moskujdesi nga natyra e deri te vetëdijesimi për kthimin e një jete me baraspeshë e harmoni, për kthim e ruajtje vlerash, për gërshetimin e së vjetrës dhe të resë, ku ëndërrohet një jetë plot përpjekje e sfida, por pa i munguar gjallëria, e cila, siç vërehet, dukshëm është zbehur.
Tregimet janë të pasura, të rrjedhshme e kthjellëta sa të kujtojnë një ditë me dukshmëri të lartë pas mjegullave e smogut, ku ne mund të shohim larg në drejtim të vendbanimeve, maleve, bjeshkëve në jetën mes lëvizjeve qoftë kur bëhet fjalë për ndonjë ngjarje kur mund të shpërfillet dhembja e dikujt për një humbje, një pritje, një shqetësim, një melankoli, një përballim me mundim e dinjitet, një përpjekje për mosdorëzim pavarësisht prej plagëve që kanë sjellë fati e jeta. Dhe këto plagë të hapura diku nga shpërfillja, diku nga vetmia, diku nga izolimi, diku nga keqkuptimi, diku nga absurdi, diku nga moskujdesi, diku nga lakmia e nga një varg shkaqesh e pasojash të tjera, sikur presin të trajtohen, të shërohen, të zgjidhen, të zbuten ose pakësohen e zvogëlohen për aq sa të jetë e mundur.
Një gjë që e bën edhe më të vlefshëm këtë libër është edhe përçimi i mesazheve për më shumë përpjekje, qëndrueshmëri, solidaritet e humanitet.
Në këtë kohë turbullirash e trazimesh nga më të ndryshmet, ky libër i këndshëm, pos të tjerash, është një freski e befasi për lexuesit dhe ftesë për reflektim.




