
Rruga tregtare e Kinës për në BE
Përfshirja e Kinës në rihapjen e kufirit është kyç. Më 16 shtator, ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, u takua në Varshavë me homologun e tij kinez, Wang Yi. Sikorski tha se Polonia shpreson që Pekini të ndihmojë sërish në frenimin e “provokimeve bjelloruse”, duke kujtuar se si një takim në vitin 2024 midis liderit kinez, Xi Jinping, dhe presidentit polak, Andrzej Duda, përkoi me një rënie të përkohshme të kalimeve të paligjshme të kufirit.
Analistët thonë se prioriteti i Kinës nuk është përafrimi politik, por mbrojtja e rrugëve tregtare. Kufiri Poloni-Bjellorusi është një arterie kryesore e Nismës kineze “Brezi dhe Rruga”, që transporton mallra nga Kina drejt BE-së. Ndërprerjet e rrugëve tregtare kërcënojnë që dërgesat të mos arrijnë me kohë dhe minojnë pretendimin e Pekinit se hekurudha euroaziatike është një alternativë e besueshme ndaj rrugëve detare. “Kina dëshiron të shmangë fajin dhe që dërgesat e saj të vazhdojnë”, tha për “Radion Evropa e Lirë”, Temur Umarov, hulumtues në Carnegie Endowment. “Fokusi i saj është stabiliteti ekonomik dhe të tregojë se Brezi dhe Rruga funksionon”.
Nëse diplomacia e Pekinit prapa skenës ka funksionuar do të testohet së shpejti: vetëm një rënie e qëndrueshme e numrit të migrantëve do të konfirmojë nëse Minsku e ka zbutur presionin mbi kufirin me Poloninë për shkak të ndikimit kinez.