Rrugët e Serbisë mbushen me protestues, studentët përplasen me policinë

29 prill 2025 | 08:11

Qytetarë dhe studentë në disa qytete të Serbisë, përfshirë Novi Sadin, Kragujevcin, Nišin dhe Valjevon, janë mbledhur në protesta pas përdorimit të forcës nga ana e policisë në oborrin e Fakultetit të Sportit në Novi Sad. Incidentet shpërthyen kur studentët nuk lejuan hyrjen e dekanit Patrik Drid në fakultet, pas çka ndërhyri njësia speciale e policisë dhe xhandarmëria.

Në përleshjet që pasuan, u plagosën disa studentë dhe qytetarë, përfshirë edhe një gazetare. Studentët akuzojnë policinë për dhunë të tepruar, ndërsa Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç, pretendon se policia u sulmua dhe ndërhyri me “minimalin e forcës së nevojshme”. Dekani Drid gjithashtu u raportua si i lënduar.

Studentët pretendojnë se një nga kolegët e tyre është arrestuar pa arsye dhe kërkojnë lirimin e tij të menjëhershëm. Ata theksojnë se do të vazhdojnë me bllokadën derisa të plotësohen kërkesat e tyre.

Protestat u zgjeruan në qytete të tjera si Kragujevac dhe Nish, ku qytetarët shprehën mbështetjen për studentët. Në Niš, protestuesit lanë gjurmë të kuqe në rrugë si simbolikë kundër dhunës.

Ndërkohë, është ndërprerë bllokada 14-ditore e Radio Televizionit të Serbisë (RTS) në Beograd, pasi u shpall konkursi për anëtarë të rinj të Këshillit të REM-it – një nga kërkesat e studentëve.

Kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, i ka quajtur studentët “fashistë”.

Në të njëjtën kohë, studentët pjesëmarrës në aksionin “Nga fshati im në Bruksel” kanë arritur në qytetin austriak Graz, ku janë pritur me entuziazëm dhe nderime simbolike për viktimat e tragjedive të fundit në Serbi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi sot se bota nuk duhet…