RRUGËTIMI I RADIOS “KOSOVA E LIRË”

03 janar 2021 | 10:15

Me rastin e përvjetorit të “Radio Kosova e Lirë”, e cila filloi emetimin më 04 Janari 1999. Copëza ditari, shkruar në veten e parë. Me kërkesën këmbëngulëse të bashkëluftëtareve, për të dëshmuar të vërtetën e idesë, fillimit dhe të një pjese të rrugëtimit të radios Kosova e Lirë, këtë shkrim për herë të parë e kam postuar  në www.preshava.com më 24 Dhjetor 2004.

I

SHTABI I PËRGJITHSHË I USHTRISË ÇLIRIMTARE: LUFTA ÇLIRIMTARE KËRKON EDHE ZËRIN E SAJ

F9D425F0-6554-499D-8E72-68DF7BD8BD1C.png

Shkruan:  Shaqir Shaqiri

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e filluar me aksione të herëpashershme nga njësitë e vogla dhe lehtë të armatosura në fillim të viteve të ’90-ta, në vazhdim kishte filluar konsolidimin e radhëve të saj dhe intensifikimin e luftës çlirimtare pothuajse në tërë hapësirën e Kosovës. Kjo luftë, e rrethuar nga një terr informativ, për të cilën shkruhej dhe flitej në këndvështrime të ndryshme, e shpeshherë me një realitet të shtrembëruar informativ dhe, poashtu e ballafaquar nga injoranca dhe etiketimi i ndyrë i një pjese të caktuar të faktorit të brendshëm dhe të jashtëm, kërkonte zërin e saj informativ dhe propagandues, që duke emetuar të vërtetën do të krijonte një mbështetje dhe një shtytje të luftës, do të ngritë moralin tek luftëtarët, por mbi të gjitha do të thoshte botërisht të vërtetën rreth Kosovës dhe luftës së saj çlirimtare.

Në vitin 1993, pas mbledhjes së katërt të Përgjithshme të këshillit Drejtues të LPK-së, kur mbi krerët e lëvizjes ilegale ishte vërsulur si bishë e tërbuar Serbia dhe, në këtë realitet të hidhur  Kosova kishte filluar të zbrazet nga të rinjtë shqiptarë. Deri sa kursi politik në emër të pacifizmit gjeneronte ironinë më të madhe shoqërore ndërshqiptare, veprimtarët atdhetar në ilegalitet me arsye të plot shqyrtonin dilemën e shpopullimit të Kosovës nga të rinjtë e saj. Kjo shtronte dilemën e rinisë shqiptare dhe luftës çlirimtare që kishte zënë fillin e saj. Një përfundim logjik i kësaj dileme, bazuar në projektin politik të lëvizjes ilegale ishte se luftëtarët shqiptarë që duan të luftojnë për lirinë e Kosovës do të vijnë edhe nga skajet më të largëta të botës, ndërsa e kundërta e kësaj është që ata që nuk duan të luftojnë do të lënë vendin për të marr arratinë. Ky ishte konkludimi i fillimviteve të ’90-ta që Kosova praktikisht do ta përjetoj në luftën e saj çlirimtare. Në këtë konkludim edhe Presheva si pjesë e pandarë e trungut shqiptar, djemtë e saj të ilegalitetit do të kyçeshin aktivisht në luftën e saj çlirimtare. Që nga Shtatori i vitit 1997, pas konsultave me përfaqësuesit e LPK Dega J. Vendit, Këshilli i Rrethit të Preshevës shndërrohet në njësite të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e vënë tërë kapacitetin e saj në shërbim të plot të luftës. Pra Presheva do të kyçet dhe aktivisht do të vihet në shërbim të UÇK-së. 


Njësitet në Preshevë kishin një strukturë mirë të organizuar, mirë të disiplinuar, me hierarki dhe udhëheqje të përgjegjshme dhe, ky territor me këto njësite më vonë do të luanin një rol shumë të rëndësishëm në organizimin dhe mbështetjen e luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Presheva që me shtrirjen e saj gjeografike zë një pozicion shumë të rëndësishëm gjeostrategjik, ka rolin e saj dominues  në krijimin dhe funksionimin e kanalit furnizues dhe qarkullues të mjeteve logjistike dhe të personave eminent, udhëheqës e luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Me një organizim shumë të mirë, me luftëtarë që e njihnin shumë mirë terrenin, krijohet një rrjet shumë i suksesshëm logjistik i cili kryesisht vepronte nën hundët e armikut.

Beogradi zyrtar, gjatë intensifikimit të luftës në Drenicë, publikisht do të deklarojë se: “Nën udhëheqjen e drejtpërdrejt të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  në  Preshevë ekziston dhe vepron vija e furnizimit”, prandaj dhe kishte intensifikuar lëvizjet e saja agjenturore, ushtarake e policore. 

Presheva dhe njësitet e UÇK-së të kësaj ane vërtetë kishin lidhje direkte me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më tepër se informatë që mund të kishte Beogradi, deklarimi zyrtar i saj mund të ishte një koincidencë rasti, megjithatë këto gjëra përputheshin dhe ne këtë e kishim parasysh. 

Këto njësite me një vetorganizim, që në atë kohë vepronin në Zonën e Tretë Operative të UÇK-së, do të gjurmonin dhe do të bënin çmos në konsolidim të radhëve, me një përgjegjësi dhe vartësi që do të krijoheshin nga lartë, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Në këtë vijë, në Prillin e vitit 1998, krijohen kontaktet me Feniksin dhe Tonin, të cilët nën direktivën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, me mision të caktuar vepronin kryesisht në Prishtinë. Kontakti me Feniksin dhe Tonin vihet me ndihmën e Adrian Mehmetit, Xhemail Zenelit dhe Fatmir Arifit, që në atë kohë ishin student në Prishtinë por të sistemuar në njësitet e UÇK-së në Preshevë.

Me ndihmën e Feniksit dhe Tonit, krijohen kanalet më të sigurta për kontaktet me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, kontakte që herë pas here do të vazhdohej me udhëheqësin  e njësiteve të UÇK-së nga Presheva. Rrugën për në Likoc, në fshatin ku ishte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, që nga Prishtina e përcillnin peripecitë e ndryshme dhe plotë bujë. Rruga merrte një kahe të kundërt, një nisje nga lindja në drejtim të Keçekollës dhe, te sharra e Ibrahim Osmanit ktheheshim në të majtë, për të gjarpëruar rreth kufirit e për të rënë nga mbrapa në Shalë të Bajgorës. Në sharrën e tij të punës, Ibrahimi priste dhe përcillte me bujari mysafirët e pazakontë që nuk kishin orar të kalimit. 

Në fundin e Majit të vitit 1998 do të jem në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, në fshatin Likoc.  Aty do të takoja, pas një kohe shumë të gjatë, z. Hashim Thaçi. Pas përshëndetjes shumë të ngrohtë të Hashimit, ai me një gjest urdhërues vuri në lëvizje Tonin, Feniksin dhe Rexhep Selimin dhe së bashku shkuam në zyrën  e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së . Ndër bisedat që do të zinte vend me rëndësi, që ne zhvilluam gjatë atij takimi me Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimin, pra format e organizimit dhe shtrirjes së luftës çlirimtare, ishte edhe domosdoshmëria e sigurimit të një radioje emetuese, e cila do të vihet në shërbim të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Natyrisht se Feniksi dhe Toni paraprakisht shpalosin idenë që kishin diskutuar me mua dhe mundësin e sigurimit të radios. Që lufta çlirimtare të kishte edhe zërin e saj informativ, ishte një projekt mirë i menduar i drejtuesve të UÇK-së, një projekt që do të vihej në shërbim dhe do ta ndihmojë në masë të madhe luftën çlirimtare. Me që u diskutua gjerë e gjatë kjo çështje, duke i analizuar të gjitha mundësit, mund të them se kjo nuk ishte vetëm një diskutim por për mua ishte një urdhër i dhënë nga udhëheqësi të UÇK-së, Hashim Thaçi, për sigurimin e një aparature të radios. 


Gjatë kthimit nga Likoci për në Prishtinë, bashkë me Tonin dhe Feniksin  u pajtuam që sharra e Ibrahim Osmanit do të jetë baza ku ne mund ta shfrytëzonim në rast se siguronim aparaturën e radios.

vazhdon…..

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkelzen Maliqi A mund të dalim nga kriza vetë pa…