RTK-ja: Lajçaku ka përgatitur plan 9-pikësh për palët

30 korrik 2020 | 23:46

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) pretendon se ka parë një plan nëntëpikësh të përgatitur nga emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, e që do të paraqitet në tryezën e bisedimeve ndërmjet palëve – Kosovës dhe Serbisë. Në pikën e fundit, ka njoftuar RTK, parashihet edhe debati për mundësinë e njohjes reciproke.

Vazhdimi i dialogut mes Kosovës e Serbisë, sipas burimeve ndërkombëtare, do të ketë disa çështje të përcaktuara nga emisari për dialog, Mirosllav Lajçak. Sipas planit të tij, janë paraparë 9 pika, të cilat palët do t’i diskutojnë me qëllim të finalizimit të marrëveshjes.

Pika e parë e diskutimit do të jetë çështja e personave të pagjetur, rikthimi i serbëve dhe malazezëve të shpërngulur nga viti 1976, ku thuhet të jenë 250 mijë serbë dhe malazezë, rregullimi i infrastrukturës dhe transportit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjithnjë sipas këtyre burimeve, do të diskutohet edhe për sigurimet shoqërore dhe zhvendosjen e pasurive shtetërore në ASK, sipas vendimit të qeverisë së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Po ashtu parashihet zgjidhja e kontesteve pronësore, ku 1 300 janë në veri dhe të tjerat të serbëve në Kosovë.

Në pikën e shtatë të planit të Lajçakut, parashihet çështja e Kishës Ortodokse Serbe, ku thuhet se është e pakthyeshme pronësia e tokave dhe pa të drejtë shtetëzimi të pronave.

Sipas burimeve ndërkombëtare, në tavolinën e bisedimeve ndërmjet palës së Kosovës dhe serbe do të jetë edhe zbatimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive dhe autonomi, me politika sektoriale dhe fuqi ministrore, ndërsa në fund parashihet debati për mundësinë e njohjes reciproke mes të dyja vendeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian tha se marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë do…