Rubin: E bindëm Evropën për Rambujenë, Serbisë i thamë ‘nëse s’pranoni, do t’ju sulmojmë’, shqiptarët i paralajmëruam se s’do t’i mbështesnim
Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ka treguar detaje nga negociatat për përfundimin e luftës në Kosovë, të cilat bëheshin në Rambuje në vitin 1999.
Diplomati amerikan, ka kujtuar gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale në Hagë se i kishin bindur evropianët që marrëveshja e Rambujesë dhe bombardimet më pas ishin “lëvizja më e duhur”.
“Disa persona mendonin se nuk ishte lëvizja e duhur, por sekretarja Albright mendonte që ishte lëvizja e duhur dhe presidenti Clinton mendonte të njëjtën gjë. Ne ua mbushëm mendjen evropianëve që kjo ishte lëvizja më e duhur dhe u thamë që sigurisht, ne do të ndërmarrim një lëvizje dramatike, por njëkohësisht ne do të jemi edhe diplomatë”, ka thënë Rubin.
Rubin ka treguar se cilat ishin paralajmërimet e ShBA-së për shqiptarët dhe serbët në rast të mosnënshtrimit të marrëveshjes.
“U thamë të dyja palëve: kjo është marrëveshja dhe në rastin e forcave serbe, iu thamë, në qoftë se nuk e pranoni marrëveshjen, ju do të sulmoheni nga ajri. Ndërsa palës shqiptare i thamë: pajtohuni me këtë marrëveshje, ose nuk do të keni më përkrahjen tonë”, ka thënë Rubin.



