
Rubin: Haga ta bëjë gjënë e duhur, t’i shpallë të pafajshëm liderët e UÇK-së
Ish-zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ka deklaruar edhe një herë se ish-presidenti Hashim Thaçi nuk kishte rol kyç në udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Këtë deklaratë, Rubin e ka dhënë për gazetaren e njohur, Christiane Amanpour, pas përfundimit të dëshmisë së tij në Hagë.
“Nuk është e vërtetë që të gjithë shqiptarët urrejnë serbët, dhe të gjithë serbët urrejnë shqiptarët. Por ky gjyq është duke fajësuar liderët e UÇK-së për gjërat që ata nuk kishin kontroll. Ishte shumë e qartë se zotëri Thaçi, një djalë i ri në atë kohë, nuk kishte kontroll mbi asgjë”, është shprehur ish-zyrtari amerikan.
Gjatë intervistës me Amanpourin, Rubini po ashtu ka thënë se ishte i befasuar nga gjyqtarët në Hagë, gjatë dëshmisë së tij pro ish-presidentit Hashim Thaçi.
“Gjyqtarët, për befasinë time, më bënin pyetje që më dukën tepër të anshme. Nuk tingëllonin si pyetje që kërkonin të gjenin fakte. Prokuroria duhet ta shtrojë akuzën e saj. Mbrojtja ta shtrojë mbrojtjen e saj. Gjyqtarët supozohet që thjesht duhet të mbledhin evidencë në mënyrë që të bëjnë gjykimin më pas. Dhe prej pyetjeve që mu bënë nga disa prej gjyqtarëve, mu duk se tashmë kishin marrë vendim se UÇK-ja ishte tamam organizatë që funksiononte si duhet me Hashim Thaçin në krye. Gjë që s’është e vërtetë”, ka thënë Rubini.
Sipas tij, Gjykata Speciale duhet të bëjë gjënë e duhur dhe t’i lirojë liderët e UÇK-së.
“Ky tribunal duhet të bëjë gjënë e duhur, duhet t’i shpallë ata të pafajshëm, dhe pastaj Shtetet e Bashkuara së bashku me Evropën, duhet të ulen me udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë dhe të rregullojnë këtë problem”, ka thënë ai.
James Rubin po ashtu ka thënë se Ballkani është në një situatë të frikshme, por jo në një zonë lufte.