Rubio do të bisedojë me Danimarkën për Groenlandën

08 janar 2026 | 08:23

Deklaratat e SHBA-së për Groenlandën kanë ngjallur shqetësime të mëdha në Europë. Tani ministri i Jashtëm i SHBA-së Rubio po kërkon kontaktin direkt me Danimarkën. Trump pohon qartazi mbështetjen për NATO-n.

Çfarë ka në plan SHBA me Groenlandën?Deklarimet e presidentit Donald Trump jo vetëm në Europë kanë ngjallur pasiguri dhe irritim. Të mërkurën (07.01.2026) zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë nuk e përjashtoi në mënyrë eksplicite një ndërhyrje ushtarake të SHBA-së lidhur me çështjen e Groenlandës.

Tani ministri i Jashtëm i SHBA-së Marco Rubio deklaroi për javën e ardhshme një takim me përfaqësues të Danimarkës, për të biseduar lidhur me Groenlandën. I pyetur, nëse me këtë është fshirë tashme një opcion i veprimit ushtarak, ai nuk donte të prononcohej përpara gazetarëve. Ende nuk është bërë e ditur, kur do të zhvillohet takimi.

Më parë Danimarka dhe Groenlanda patën kërkuar një takim me ministrin e Jashtëm të SHBA-së. Eshtë e tepërt, që komunikimi me SHBA-në të zhvillohet përmes mediave, u shpreh kryeministri i Groenlandës Jens-Frederik Nielsen.”Natyrisht ne do të marrim pjesë në takim. Ne e kemi kërkuar takimin”, i tha medias së Danimarkës DR, Vivian Motzfeldt, ministre e Jashtme e territorit autonom të Danimarkës. Ajo tha, se shpreson, që takimi të çojë në një “normalizim” të raporteve me SHBA-në. Ish-ministri i Jashtëm danez dhe sot deputet i BE-së Villy Søvndal i konsideron masat parandaluese ndaj SHBA-së si të nevojshme, për të mbrojtur Groenlandën. “Ne duhet ta ndalim SHBA-në nga një hap i tillë”, tha ai në një intervistë me revistën „Der Spiegel”. “Ne europianët duhet t’ua bëjmë të qartë amerikanëve, se sa i lartë do të ishte çmimi, që do duhej të paguajnë, nëse e vënë në jetë këtë marrëzi. Nëse SHBA do ta marrë ushtarakisht Groenlandën, atëherë kjo do të thoshte fundi i NATO-s dhe partneritetit transatlantik”, tha Søvndal.

Wadephul e konsideron të arsyeshëm takimin

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, lidhur me këtë u shpreh më i rezervuar: “Nuk kam asnjë dyshim, se ne do të qendrojmë unanim dhe që kjo aleancë do të mbetet ajo që ka qenë gjithmonë: aleanca më e suksesshme dhe mbrojtëse në botë”. Wadephul u shpreh i kënaqur lidhur me takimin direkt të njoftuar tashmë ndërmjet Danimarkës dhe SHBA-së. Eshtë me siguri e arsyeshme dhe për t’u mbështetur ky hap, tha politikani kristiandemokrat, kreu i diplomacisë gjermane.

Sipas Wadephul për fatin e Groenlandës duhet të vendosin Groenlanda dhe Danimarka. Të gjitha çështjet, që kanë të bëjnë me sigurinë në hapësirën e Arktikut, duhet “të bisedohen natyrisht me NATO-n”. Ka gatishmëri, në aleancë për të folur hapur për këtë.

Trump: “Shtetet e NATO-s janë të gjithë miqtë e mi”

Edhe presidenti i SHBA-së Donald Trump u shpreh lidhur me diskutimin për të ardhmen e NATO-s. Në portalin e tij online Truth Social ai komunikoi: “Ne gjithmonë do të jemi të gatshëm për NATO-n, edhe nëse ata nuk do të jenë për ne”. Shtetet anëtare të NATO-s janë “të gjithë miqtë e mi”, shtoi presidenti i SHBA-së. /DW

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të lejojë që një…