Rubio: Do të tërhiqemi nga marrëveshja e paqes Rusi-Ukrainë nëse s’ka përparim

18 prill 2025 | 11:04

Presidenti amerikan, Donald Trump, do të tërhiqet brenda ditësh nga përpjekjet për të ndërmjetësuar një marrëveshje të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, nëse nuk ka sinjale të qarta se mund të arrihet një marrëveshje.

Kështu ka deklaruar më 18 prill sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

“Ne nuk do ta vazhdojmë këtë përpjekje për javë apo muaj të tërë. Duhet të përcaktojmë shumë shpejt, dhe kur them shumë shpejt, flas për çështje ditësh, nëse kjo [arritja e një marrëveshjeje] është e realizueshme në javët e ardhshme. Nëse kjo ndodh, atëherë ne jemi brenda procesit. Nëse jo, atëherë ne kemi prioritete të tjera ku duhet të përqendrohemi po ashtu”, ka thënë Rubio në Paris.

Kryediplomati Rubio ka thënë se presidenti Trump është ende i interesuar për një marrëveshje, por është i gatshëm të tërhiqet nëse nuk ka sinjale të menjëhershme të përparimit.

Rubio  ka marrë pjesë në bisedimet njëditore në Paris të mbajtura të enjten, ku ishin të pranishëm zyrtarët evropianë dhe ukrainas.

Kryediplomati amerikan ka thënë se diskutimet ishin konstruktive dhe rezultuan në një përmbledhje të hapave drejt paqes.

Franca ishte mikpritëse e takimit dhe për herë të parë, zyrtarët e lartë amerikanë, ukrainas dhe evropianë u takuan së bashku për të diskutuar për përfundimin e luftës.

Rubio ka thënë të premten se ai shpreson që evropianët do të mbeten të angazhuar në bisedimet e udhëhequra nga ShBA-ja drejt një armëpushimi në Ukrainë.

“Ne do të dëshironim që ata të mbeten të angazhuar… Mendoj se Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania mund të na ndihmojnë që ta çojmë këtë çështje drejt një zgjidhjeje. Mendoj se ata ishin shumë ndihmues dhe shumë konstruktivë në idetë e tyre”, ka thënë Rubio për gazetarët, teksa është larguar nga Parisi pas takimit me zyrtarët evropianë.

Që  kur ka marr mandatin e presidentit në janar, administrata e Trumpit ka zhvilluar disa runde takimesh me Rusinë dhe Ukrainën, në përpjekje për të arritur një armëpushim në luftën që nisi në shkurt të vitit 2022 dhe deklaratat e Rubios vënë në pah pakënaqësitë në rritje të ShBA-së lidhur me mungesën e përparimit drejt dhënies fund të luftës.

Moska ka refuzuar që të pranojë propozimin e armëpushimit të paraqitur nga ShBA-ja, të cilin e ka pranuar Ukraina. Moska ka vendosur kushte, duke kërkuar që Ukraina të ndalë përpjekjet për mobilizim dhe që Perëndimi të ndalë dërgesat me armë për Kievin. Por, këto kërkesa janë refuzuar nga Ukraina. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ftuar kryeministrin në detyrë,…