Rubio i flet butë në Mynih: Ne amerikanët gjithmonë do të jemi fëmijë i Europës
Në një fjalim në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se Shtetet e Bashkuara dhe Europa “i përkasin njëra-tjetrës”.
“Amerika po hap rrugën për një shekull të ri prosperiteti dhe ne duam ta bëjmë këtë së bashku me ju, aleatët tanë të çmuar dhe miqtë tanë më të vjetër”, tha Rubio në fjalimin e tij kryesor më 14 shkurt në hotelin luksoz Bayerischer Hof të Mynihut.
Veprimi i përbashkët me Europën, tha ai, “do të ndihmojë në rivendosjen e një politike të jashtme të shëndoshë”.
Fjalimi i Rubios është pritur gjerësisht mes një aleance transatlantike të tensionuar dhe pas fjalimit të vitit të kaluar nga zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, i cili kritikoi ashpër udhëheqësit europianë për rolin e tyre në atë që ai e përshkroi si erozion të demokracisë në kontinent.
Duke iu drejtuar diskutimeve për një divorc të mundshëm transatlantik, Rubio tha se “ky nuk është as qëllimi dhe as dëshira jonë”.
“Nuk kemi nevojë të çmontojmë institucionet globale të rendit të vjetër që ndërtuam së bashku – por këto duhet të reformohen”, tha Rubio në konferencë. SHBA-të nën Trump, tha ai, duan të udhëheqin “restaurimin” botëror.
Rubio po udhëheq delegacionin amerikan – më të madhin ndonjëherë, që përfshin më shumë se një të katërtën e Senatit amerikan – në ngjarjen treditore vjetore, e cila përfshin qindra udhëheqës të shquar europianë, ligjvënës, zyrtarë ushtarakë, akademikë dhe të tjerë.
‘Fëmija i Europës’
Sekretari i Shtetit përshëndeti trashëgiminë e pasur kulturore të Europës, duke thënë se “ne amerikanët… do të jemi gjithmonë fëmijë të Europës”.
Një raport i hartuar nga organizatorët dhe i publikuar përpara konferencës fliste për ardhjen e “politikës së topit shkatërrues” dhe deklaronte: “Më i fuqishmi ndër ata që i bien me sëpatë rregullave dhe institucioneve ekzistuese është Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Konferenca vjen mes trazirave në mbarë botën, duke përfshirë mundësinë e sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj Iranit dhe luftën e Rusisë në Ukrainë që i afrohet përvjetorit të saj të katërt.
‘Pyetjet më të vështira’ mbi Ukrainën
Për konfliktin në Ukrainë, Rubio tha se “çështjet për t’i dhënë fund luftës janë ngushtuar, por lajmi i keq është se tani varet nga pyetjet më të vështira”.
Trump ka dhënë përparësi ndalimit të luftës në shkallë të plotë të Rusisë, megjithatë Moska ka treguar pak gatishmëri për kompromis, duke lënë të bllokuara dy raundet e fundit të bisedimeve SHBA-Rusi-Ukrainë.
Rubio pritet të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy më vonë më 14 shkurt në margjinat e konferencës.
Në një pyetje-përgjigje të shkurtër me Wolfgang Ischinger, kryetarin e Konferencës së Sigurisë së Mynihut, pas fjalimit të tij, Rubio tha se “ajo që nuk mund t’i përgjigjemi dhe [ajo] që do të vazhdojmë të testojmë është nëse ka një rezultat me të cilin Ukraina mund të jetojë dhe që Rusia do ta pranojë dhe do të thosha se ka qenë i pakapshëm deri në këtë pikë”.
Duke folur në një intervistë me Bloomberg pas fjalimit të tij në konferencë, Rubio tha se “nuk mendoj se është e mundur që Rusia të arrijë çfarëdo objektivash fillestare që kishte në fillim të kësaj lufte”.
“Mendoj se tani është ngushtuar kryesisht në dëshirën e tyre për të marrë 20 përqind të Donetskut që aktualisht nuk e zotërojnë. Dhe kjo është e vështirë”, tha Rubio.



