
Rubio: ShBA-ja dhe Rusia kanë shkëmbyer ide të reja për bisedimet për paqe në Ukrainë
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë të enjten se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Rusia kanë shkëmbyer ide të reja në lidhje me bisedimet për paqe në Ukrainë, pas një takimi që pati me homologun e tij rus të enjten në Malajzi.
“Mendoj se është një qasje e re dhe ndryshe. Nuk do ta cilësoja si diçka që garanton paqe, por është një koncept që, e dini, do t’ia paraqes presidentit”, u ka thënë Rubio gazetarëve pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Rubio nuk ka dhënë më shumë hollësi rreth kësaj.
Ai ka theksuar se presidenti Donald Trump ka qenë “i zhgënjyer dhe i zemëruar që nuk ka pasur më shumë fleksibilitet nga pala ruse” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Na duhet të shohim një plan të qartë se si mund të përfundojë ky konflikt. Dhe, ne ndamë disa ide se si mund të duket ai”, ka thënë Rubio për takimin 50-minutësh me Lavrovin.
“Do të vazhdojmë të angazhohemi aty ku shohim mundësi për të bërë ndryshim”, ka thënë ai.
Rubio dhe Lavrov kanë zhvilluar bisedime në Kuala Lumpur në kuadër të Forumit Rajonal të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), i cili bashkon 10 anëtarët e ASEAN-it dhe partnerët e tyre më të rëndësishëm diplomatikë, përfshirë Rusinë, Kinën, Japoninë, Korenë e Jugut, vendet evropiane dhe ShBA-në.
Ky ishte takimi i tyre i dytë prej se Rubio e ka marrë detyrën, megjithëse ata kanë folur disa herë në telefon.
Takimi i tyre i parë është zhvilluar në shkurt në Riad të Arabisë Saudite, ndërsa administrata Trump po testonte gatishmërinë e Rusisë dhe Ukrainës për të bërë paqe.
Takimi i së enjtes ka ndodhur pak pasi ShBA-ja ka rifilluar dërgesat e armëve mbrojtëse për Ukrainën pas një ndërprerjeje, zyrtarisht për t’i shqyrtuar rezervat e brendshme të municioneve, një veprim që është përshëndetur nga Moska.
Nisja e ridërgimit të ndihmave vjen në një kohë kur Rusia ka shpeshtuar dukshëm sulmet ajrore ndaj Ukrainës dhe derisa presidenti Trump ka shfaqur zemërimin e tij me presidentin rus, Vladimir Putin. /REL