
Rugova largohet nga FBK-ja, emërohet drejtor i sportit në Prishtinë
Granit Rugova është larguar nga pozita e drejtorit në Përfaqësuesen e Kosovës dhe nga ushtruesi i detyrës së drejtorit në Ligën Unike.
Me anë të një komunikimi në rrjetet sociale, Granit Rugova, ish-basketbollisti i shumë skuadrave të ndryshme në Kosovë, ka njoftuar opinionin se tani do ta ketë një profesion tjetër në karrierën e tij. Rugova tani do të udhëheqë Drejtorinë e Sportit në Komunën e Prishtinës.
“Pas një përvoje të jashtëzakonshme në Federatën e Basketbollit të Kosovës, erdhi koha e ndryshimit. Falënderoj të gjithë për besimin ndaj meje, në veçanti kryetarin Arben Fetahu, sekretaren e përgjithshme Elvira Dushku, bordin e FBK-së dhe të gjithë kolegët dhe bashkëpunëtorët për këtë periudhë trevjeçare e gjysmë. Puna si drejtor i Përfaqësuesve të Kosovës ishte shumë sfiduese, por u përpoqa dhe dhashë maksimumin. Ishte nder dhe krenari për mua, ashtu siç e kam veshur fanellën e Prishtinës dhe Kosovës ndër vite. U. d. i drejtorit Ekzekutiv të Ligës Unike për mua ishte përgjegjësi, por edhe krenari, të punoja për një ligë që bashkon Kosovën dhe Shqipërinë. Njëra sfidë ka mbaruar, tjetra po fillon… Dua t’ju njoftoj se Uran Ismaili dhe Partia Demokratike e Kosovës më ka besuar ta udhëheq Drejtorinë e Sportit në komunën e Prishtinës. Me kënaqësi e kam pranuar këtë detyrë dhe pa dyshim se do të kontribuoj në promovimin dhe avancimin e sportit në qytetin tim të zemrës”, ka shkruar Rugova në profilin e vet në “Facebook”.