
Rugova: Lumir, obligimin kryesor e ke ndaj anëtarësisë tënde, pastaj ndaj të tjerëve
Delegati i Kuvendit të përgjithshëm të LDK-së, Naser Rugova, ka thënë se lideri i kësaj partie, Lumir Abdixhiku obligimin kryesor e ka ndaj anëtarësisë së LDK-së, e tek pastaj ndaj të tjerëve.
Ai ka theksuar se LDK-ja ka pësuar shumë nën udhëheqjen e atyre që kanë dashur të punojnë vetëm me servila dhe kanë përjashtuar ata që kanë menduar ndryshe.
“Fjalimi i Lumirit në Kuvend ishte i drejtë dhe i qëlluar dhe unë, si anëtar i LDK-së dhe si delegat i Kuvendit të Përgjithshëm, e përkrah plotësisht. Shpresoj po ashtu ta ketë kuptuar se presioni mbi deputetët tanë ishte joparimor. Vetëm përkushtimi i sinqertë për bashkëpunim e dialog të brendshëm, dmth përafrimi i atyre që mendojnë ndryshe, e bën LDK-në faktor real dhe jo konstruktiviteti imagjinar që duket bukur në rrjete sociale dhe studio televizive”.
“Lumir, obligimin kryesor e ke ndaj anëtarësisë tënde, pastaj ndaj të tjerëve, prandaj puno e angazhohu për unifikim të vërtetë. LDK ka pësuar shumë nën udhëheqjen e atyre që kanë dashur të punojnë vetëm me servila dhe kanë përjashtuar ata që kanë menduar ndryshe. Mos shko hapave të tyre! Të jesh i sigurt se në punë të mira gjithnjë do të jemi me ty, e në ato të tjerat do të vazhdojmë të të sfidojmë pa menduar dy herë”, ka shkruar Rugova në llogarinë e vet në “Facebook”.